Mbi 16 mijë nënshkrime në peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Bahtiri garanton se do të bashkohet Mitrovica

Për shtatë ditë sa ka zgjatur peticioni për bashkimin e Mitrovicës, atë e kanë nënshkruar 16 mijë e 594 qytetarë. Këtë e ka thënë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në një konferencë për media të mbajtur sot në Mitrovicë. Bahtiri po ashtu ka thënë se Komuna e Mitrovicës nuk ka marrë vendim për bashkimin e qytetit, por me të drejtë e kanë bërë kërkesën për bashkimin e qytetit.

Sipas tij, peticioni me nenshkrime të qytetarëve do të dërgohet brenda javës Kuvendit të Kosovës, qeverisë dhe presidentit, duke kërkuar kështu ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave me qëllim të bashkimit të qytetit. “Në peticion kanë marrë pjesë edhe qytetarët e veriut , qytetarët serb, ata janë lodhur nga strukturat paralele në veri “, ka shtuar tutje Bahtiri.

Lidhur me deklaratat e kryeministrit, Ramush Haradinaj se nuk do ta përkrah peticionin, Bahtiri ka thënë se ai nuk e ka dëgjuar kryeministrin duke e thënë këtë, por se ai e din se edhe kryeministri edhe çdo qytetar që ka gjak shqiptari do ta përkrahë këtë peticion. Bahtiri ka garantuar para gazetarëve se qyteti i Mitrovicës do të bashkohet, por nuk tregoi saktë kur do të ndodhë kjo.

Kryetari i Mitrovicës e ka mohuar kategorikisht ndarjen e Kosovës përmes lumit Ibër dhe urës kryesore dhe u ka bërë thirrje politikanëve që të mos merrën me Mitrovicën si mundësi për ndarje.

Pas bashkimit Bahtiri ka thënë se zyra e Kryetarit të Komunës do të jetë në veri të qytetit.

Menjëherë pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka dalë me idenë për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave më qëllim ‘bashkimin’ e Mitrovicës. Pasi mori mbështetjen e Kuvendit Komunal, Bahtiri iu drejtua Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), mirëpo kjo e fundit nuk i dha ‘ditën’ jeshile kësaj iniciative nën arsyetimin se nuk ka bazë ligjore.

Madje për jetësimin e kësaj iniciative, Bahtiri kërkoi edhe ndihmën e qeverisë. Kjo e fundit e konsideroi idenë e tij si vullnet të mirë por nuk i dha mbështetje.

Ndërsa pasi iu mbyllën të gjitha ‘dyert’ institucionale, Kryetari Bahtiri kërkoi ndihmën e qytetareve të cilët me anë të peticionit do të vendosin për këtë bashkim.

Mitrovica e Veriut është themeluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në bazë të propozimit për statusin të emisarit të OKB-së, Martti Ahtisaari por dy komunat, ajo e Jugut dhe e Veriut, ende nuk kanë gjetur zgjidhje për ndarjen e kufijve mes tyre për shkak të mospajtimeve rreth disa fshatrave të banuara me shqiptarë në pjesën veriore./kallxo

Back to top button