Krasniqi shpreson se një ditë do të ketë drejtësi për të gjitha viktima

Krasniqi shpreson se një ditë do të ketë drejtësi për të gjitha viktima

“Drejtësi për të gjithë” është shoqata e themeluar muaj më parë, me iniciativën e vetë të mbijetuarës së torturës, drejtësi kjo për të cilën ajo nuk rreshti së kërkuari për 20 vjet, por, që nuk e gëzoi asnjëherë. ‘Ambasadorja e Guximit’, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila në tetor 2018 ka gjetur forcën për të rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar 20 vjet më parë, përveç se është bërë zë i gjithë viktimave të gjalla të luftës, përmes shoqatës së themeluar me iniciativë të saj, do të ju dalë krahë gjithë atyre edhe në aspektin juridik.

Drejtori i kësaj shoqate, që është vëllai i saj, Nafi Krasniqi, në një intervistë për Kp tha se kjo shoqatë është kërkesë e vetë viktimave. Në rastin e motrës së tij, Krasniqi tha se kanë pasur një proces gjyqësor me shumë padrejtësi e pa përkrahje nga askush.

“Në këtë shoqatë kemi qëllim edhe mbledhjen  dhe grumbullimin e fakteve dhe dëshmive të luftës ku do të bëjmë dokumentimin e tyre dhe në ndërkohë përmes një ekipe që besojmë që shumë shpejt do ta prezantojmë, neve kemi për të bërë përgatitjen e dokumenteve për ndjekje penale, në këtë rast me i ndjek njerëzit që janë të dyshuar që kanë kryer krime në Kosovë”, deklaroi ai.

Krasniqi tha se për kaq muaj sa kanë filluar punën në këtë shoqatë kanë pasur edhe raste të reja të paraqitura.

“Ka pasur njerëz që janë paraqitur për herë të parë, viktimat, ne i kemi orientuar ju kemi dhënë adresat se ku duhet të shkojnë, tek ato organizata që merren me rehabilitimin e viktimave. Përderisa kemi edhe njerëz tjerë që kanë ardhur edhe kanë dëshmuar për krimet që ju kanë ndodhur dhe besojmë që shumë shpejt do të fillojmë me trajtimin e atyre dëshmive dhe dokumentacioneve…Të gjitha dëshmitë që ne kemi ose lëndë, janë mbi 230 lëndë, është periudha kur ne si shoqatë jemi licencuar, data 20 shkurt”, tha Krasniqi.

Drejtësinë e mohuar që e përjetuan vetë, u shpreh ai që synojnë të mos ketë fatin ta përjetojnë edhe viktimat tjera.

Ai foli edhe për fotografinë e publikuar nga deputetja Flora Brovina ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

 “Duke qenë ne familjarët e viktimave, me të vërteta skena të atilla, skenat e llahtarshme në atë fotografi, fillimisht ne kemi menduar se është e vërtetë edhe ato pamje të llahtarshme kanë qenë me të vërtetë, neve na kanë bërë me u ndje keq. Viktimat asnjëherë nuk do donin të ktheheshi, me kujtu se çfarë ju ka ndodhur, e lëre më me pa fotografi të tillë. Po besoj që qëllimi i zonjës Brovina ka qenë qëllim që të shpaloset ajo se çfarë ka ndodhë në Kosovë. Për me arsyetu atë veprim, ajo më së miri e arsyeton vetë…. Flora do të jep shpjegimin vet, por ne asnjëherë nuk do ta vlerësojmë ndryshe veç se një veprim pak sa i ngutshëm, mirëpo ajo e vlerëson më së miri”, deklaroi ai.

Krasniqi tha se një rast i tillë ka qenë një rikthim për viktimat, e sfidë edhe për familjarët e  e të mbijetuarve.

Drejtori i shoqatës “Drejtësi për të gjithë”, shpreson se një ditë do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat, duke përfshirë edhe motrën e tij, e cila u dhunua në moshën 16 vjeçare.

“Besojmë që tashmë edhe Prokuroria, shteti jonë është i gatshëm me të vërtetë krimin me ndëshkuar, për shkak se është koha e fundit kur ne mundemi të fillojmë të punojmë për drejtësi. Ne  i kemi arsyetuar gjithmonë shtetin tonë, ose organet tona për shkak të kompetencave që nuk i kanë pasur, dhe është shumë e vërtetë sidomos në rastin tonë, kur në shkallën e parë në panelin e trupit gjykues kanë  qenë tre ndërkombëtarë…për këtë i kemi arsyetuar gjithmonë. Mirëpo, nuk kemi mundur të arsyetojmë mos gatishmërinë e tyre që të ndihmojnë viktimat ose të dëmtuarit, të paktën në format edhe si kanë mundur të na ndihmojnë. Por, tash kur kompetencat kanë kaluar komplet tek institucionet tona, ne besojmë dhe shpresojmë, e kemi përmendur edhe më herët diçka sikur ne në mënyrë që me të vërtetë të punohet për arritjen e drejtësisë”, tha ai.

Krasniqi u bëri thirrje të gjithë vëllezërve të viktimave, që të jenë krahë dhe mbështetje e tyre, në mënyrë që ato të ndihen heroina, ashtu edhe siç e vlerëson se janë.