Mbi 300 milionë euro të hyra për periudhën Janar-Shtator në ATK

Në krahasim me vitin e kaluar të hyrat janë rritur për 32.8 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës deri më 30 Shtator 2018, ka grumbulluar 75.5 % të të hyrave të përgjithshme vjetore, apo shprehur në shifra 336.6 milionë euro.

“Se kemi një nivel shumë të mirë sa i përket realizimit te planit te të hyrave, këtë e tregon edhe krahasimi mes periudhave, nëse e krahasojmë periudhën Janar-Shtator 2018 me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje për 32.8 milionë euro, ndërsa më shumë se plani kemi 9.6 milionë euro apo 2.9%. Rezultat për rritjen e të hyrave janë avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare. Po ashtu, këtu rol të rëndësishme ka edhe pjesa e legjislacionit tatimor, përmes së cilës bëhen përpjekje të vazhdueshme që të krijohet një infrastrukturë e mirë ligjore”, thuhet në kumtesën për media nga ky institucion.

“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore. Motoja e përgjithshme e punës tonë vazhdon të qëndroj në krijimin e një mjedisi, i cili mbështet fuqimisht përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve”, thuhet tutje.

Back to top button