Sipas shërbimit të fshehtë ukrainas, SBU

Sipas shërbimit të fshehtë ukrainas, SBU

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, SBU, ka publikuar të dhënat e para për serbët, që po luftojnë në radhët e ushtrisë ruse të mercenarëve, e cila po lufton në lindje të Ukrainës.

Fillimisht ky shërbim ka publikuar të dhënat për gjashtë shtetas serbë dhe siç u theksua, është ky vetëm fillimi. Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Oleksandër Aleksandroviç, tha se në lindje të Ukrainës janë duke luftuar së paku 300 shtetas të Serbisë.

Ai shtoi se është për keqardhje fakti se një numër kaq i madh i shtetasve serbë po luftojnë kundër ukrainasve, të cilët sipas tij nuk i kanë bërë asnjë të keqe Serbisë.

Vasili Hritsak, shefi i Shërbimit të Ukrainës për Siguri, tha se ky shërbim është i vetëdijshëm për numrin e madh të mercenarëve të huaj, të cilët janë të përfshirë në krimet e luftës, të cilat po i kryen njësia Vagnar.

SBU, në faqen e së cilës në internet janë publikuar të dhënat e plota për mercenarët, shpreson se publikimi i informatave dhe i fotografive të mercenarëve do të ndihmoi që ata të arrestohen./21Media