Mbi 5. 6 milionë euro do të kushtojnë zgjedhjet

Fushata fillon nga 25 shtatori deri më 4 tetor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po mban mbledhje pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga ana e presidencës.

Ilir Gashi nga Këshilli për Buxhet dhe Financa në KQZ, tha se sipas analizave, këtij institucioni i duhen mbi 5 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Buxheti që na duhet për zgjedhjet e jashtëzakonshme kalon mbi 5 milionë e 698 mijë euro. Është rrjedhë e projeksioneve që kanë bërë njësitë kërkuese të KQZ-së, ku këtu hyjnë të gjitha gjërat për të realizuar një proces zgjedhor siç duhet, duke përfshirë materiale, furnizime, trupa zgjedhore, staf të përkohshëm. Duket një rritje e kërkesës së buxhetit për faktin se kësaj radhe është konsideruar e nevojshme edhe rritja e pagesave për trajner, kryesues dhe anëtar të këshillit të vendvotimeve, sepse është menduar të ndiqet edhe trendi i rritjes së pagave që ka ndodhur në Kosovë”,deklaroi ai.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së Enis Halimi, tha se nuk mund të bëjnë asnjë procedurë pa u alokuar mjetet.

“Është shqetësuese sepse sot miratohet buxheti tek ne, ndërsa ne nuk mund të miratojmë asnjë procedurë që ka të bëjë me furnizime me qëllim të organizimit të procesit zgjedhor. Pa u alokuar buxheti dhe pa u bë i qasshëm ne nuk mund të bëjmë asgjë. Është e kot të merret vendimi sot, derisa nuk bëhet buxheti i qasshëm. Nuk mund të futemi në marrëdhënie kontraktuale për të siguruar materiale zgjedhore sepse nuk kemi alokim të buxhetit. Teknikisht është e pamundshme të bëjmë procedimet tona”, deklaroi ai

Kurse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se po presin buxhetin

“Presim që ky buxhet i kërkuar të alokohet për ne. Nëse s’kemi para. i zhvillojmë procedurat vetëm deri aty ku na mundësojnë procedurat ligjërisht”, tha ajo.

KQZ po ashtu miratoi kërkesën ndaj Qeverisë për ndarjen e 5 milionë eurove.

Adnan Rrustemi, nga LVV tha se do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që do ta pengojnë procesin e organizimit të zgjedhjeve.

Rrustemi po ashtu deklaroi se ka pasur diskutime për afatin e fushatë zgjedhore por që, sipas tij, ende nuk është përcaktuar. Ka thënë se ka pasur vlerësime se fushata duhet të zgjasë 10 ditë.

KQZ-ja vendosi që fushata zgjedhore të fillojë më 25 shtator dhe të përfundojë më 4 tetor. Ndërsa afati për regjistrimin e votuesve jashtë vendit do të jetë i hapur nga 30 gushti deri më 10 shtator./21Media

Back to top button