Përveç Kosovës, pati pjesëmarrës edhe të vendeve të tjera

Përveç Kosovës, pati pjesëmarrës edhe të vendeve të tjera

Për adhuruesit e shpejtësisë, sot është mbajtur gara e automjeteve “Drag Race” organizuar nga Federata e Auto Sporteve të Kosovës dhe auto klubit “Eurogoma RT”, në Sllatinë.

Në pistën e vjetër të Aeroportit të Prishtinës mbi 70 garues morën pjesë në “Drag Race” në një shteg të gjatë prej 402 metrash.

Sipas kryetarit të FASK-ut, Ismet Rexhepi interesimi ka qenë i kënaqshëm dhe ka treguar se përveç Kosovës, pati pjesëmarrës edhe të vendeve të tjera.

“Si duket ka mbi 70 garues që për neve është 60-70 përqind ma tepër se që kemi pritë…Kjo është një disiplinë 402 metra edhe kategoritë janë, fillimisht do t’i ndajmë veturat me tërheqje të rrotës së përparme, të prapme dhe katër herë katër, pastaj prej 16 sekondash sa është koha ma e ngadaltë deri në 8 sekonda, duhet me i nxjerr nga tre fitues”, tha Rexhepi.

Ai tha se përmes kësaj gare, të apasionuarit pas automjeteve dhe shpejtësisë po ushtrojnë profesionin dhe hobin e tyre, ndërkaq shtoi se brenda kapaciteteve të tyre janë marrë masat e nevojshme të sigurisë.

Rexhepi njoftoi që kjo federatë ka përmbyllur tashmë pesë kampionate në disiplina të ndryshme.

Gjatë kohës sa është mbajtur “Drag Race” ishin të pranishëm pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ekipe të shërbimit mjekësor.

Përndryshe, kjo është hera e katërt brenda vitit 2018 që po organizohet kjo garë.