Nis monitorimi ajëror për parandalimin e kanabist

Nis monitorimi ajëror për parandalimin e kanabist

Nis projekti “SANCAS” ndërmjet policisë shqiptare dhe policisë italiane, në kuadër të mbështetjes për Policinë shqiptare, për monitorimin ajror të territorit, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë, priti sot një delegacion të policisë italiane, të përbërë nga Policia kriminale e Guardia di Finanza.

Veliu  theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar që rezultatet e arritura gjatë vitit 2017 kundër fenomenit të kultivimit të Kanabisit jo vetëm të ruhen, por që këtë vit ky fenomen të mos ekzistojë më. Ai nënvizoi se puna për parandalimin e këtij fenomeni ka më shumë se dy muaj që ka filluar.

Më tej, ai bëri prezent tre komponentët ku do mbështetet projekti, për të operuar më tej në terren, duke theksuar:“Në eksperiencën e fituar në kontrollin e territorit dhe luftës ndaj kultivuesve dhe trafikuesve të kanabisit, gjatë vitit 2017; Në një analizë të plotë për të gjithë periudhën paraardhëse, mënyrat e kultivimit, rrugët e trafikimit të kanabisit dhe duke bashkëpunuar do të arrijmë në hartimin e një strategjie efikase policore por jo vetëm, si dhe në rritjen e orëve të fluturimeve për këtë vit, ku është llogaritur të jenë 30% më shumë se në vitin 2017”

Ky projekt i jep një rëndësi të veçantë planifikimit të kapaciteteve njerëzore, teknologjisë dhe logjistikës policore në kontrollin e territorit.

Drejtori i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Gjeneral Brigate CC Paolo D’Ambolo, duke folur për bashkëpunimin e përbashkët, theksoi se edhe ata janë të bindur për rezultatet pozitive të këtij projekti, sepse para së gjithash ne njohim kolegët, miqtë tanë shqiptarë të cilët janë të aftë dhe kanë dhënë rezultate përsa i përket luftës ndaj kanabisit”.

Përsa i përket rezultateve, theksoi ai më tej, ato ishin rezultate të shkëlqyera përsa i përket vitit 2017, në fushatën e vjetshme mori pjesë Guardia di Finanza me avionët e saj dhe e mbështetur nga teknologjia e Qendrës së Ekselencës “Benecon” . Ai theksoi se ky projekt është i ndryshëm përsa i përket financimit të fushatave të kryera më përpara, për vetë faktin se financohet një pjesë nga Bashkimi Europian. Sipas tij, BE-ja i ka dhënë përgjegjësinë e drejtimit të këtij projekti palës italiane, Departamentit për Sigurinë Publike dhe Shërbimit Ndërkombëtar të Policisë italiane”.