QKSH ndihmoi për realizimin e dokumentarit

QKSH ndihmoi për realizimin e dokumentarit

Dokumentari kushtuar 10-vjetorit të vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu do të shfaqet premierë më 15 qershor.

Ekipi i filmit dokumentar “Bekim Fehmiu”, në një konferencë për media, tha se procesi i realizimit të këtij dokumentari ka filluar në vitin 2016, por për shkak të mungesës së fondeve nuk është përfunduar deri tash.

Skenaristi i dokumentarit, njëherësh gazetari Fahri Musliu, tha se dokumentari do të jetë i metrazhit të gjatë.

Skepticizmi im ishte te ana materiale sepse të realizohet një film i tillë kërkon një angazhim të madh, mirëpo dëshira dhe përkushtimi për ta realizuar këtë film ndoshta do t’i tejkaloj të gjitha këto barriera. Filmi do të jetë i metrazhit të gjatë më tepër se 60 minuta, 90 minuta dhe planifikojmë të rrumbullakojmë diku me xhirime dhe montazh në fund të majit që të jetë i gatshëm për 15 qershor, në ditën e largimit fizik të Bekimit nga kjo botë”, tha Musliu.

Musliu u shpreh i zhgënjyer për faktin se Qendra kinematografike e Kosovës i ka mbështetur katër projekte të huaja, por jo edhe projektin për Fehmiun.

Ndërsa, regjisori Valmir Derteni u shpreh krenar për realizimin e këtij dokumentari, që ndihmoi Qendra Kinematografike e Shqipërisë, që sipas tij, Fehmiu e meriton plotësisht t’i kushtohet një punë të tillë.

Ndryshe, Bekim Fehmiu është aktori i parë shqiptar që ka luajtur me sukses në filma gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të tij janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.