Mehmeti pretendon se ka qenë i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë

Mehmeti pretendon se ka qenë i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë

Përmes një letre dërguar mediave, i dënuari me 30 vjet burgim për vrasje, Shkumbin Mehmeti, është deklaruar rreth reagimit të Prokurorisë së Shtetit rreth rastit të tij.

Mehmeti pretendon se ka qenë i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për t’u zbardhur rastet e vrasjeve të pasluftës, porse këto përpjekje kanë dështuar, sipas tij, për shkak të mosveprimit të prokurorisë.

Ai thotë se më 2012, përmes Policisë së Kosovës, i ka dërguar materiale, deklarata dhe video-incizime, kryeprokurorit të shtetit, për hetimin e vrasjeve të pasluftës, me theks të veçantë për rrafshin e Dukagjinit.

I dënuari për vrasje e pranon se dhënien e dëshmisë për këto raste e ka kushtëzuar me rigjykimin e tij.

Më 27.01.2017 thotë se ka zhvilluar takim me një prokuror të Prokurorisë Speciale të Kosovës, porse nga ajo ditë nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Mehmeti pretendon se ka zhvilluar edhe kontakte tjera me prokurorë dhe policë dhe se jo çdoherë ka kërkuar rigjykim. “Por prokuroria e shtetit nuk ka qenë e gatshme që të arrijë marrëveshje me mua”.

Po ashtu, ai pretendon se prokuroria e EULEX-it pasi ka bërë rihetimin e rastit për të cilin është dënuar, ka ardhur në përfundim se ai nuk ka kryer vrasje, prandaj thotë se prokurori ka kërkuar të këtë zbutje të jashtëzakonshme të dënimit dhe t’i hiqet akuza e vrasjes, por Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar këtë kërkesë.

Shkumbin Mehmeti akuzon një gjyqtar se kinse ai e ka refuzuar kërkesën e avokatit dhe pëlqimin e prokurorit për rishikim të procedurës penale ndaj tij më 2014 pasi që, sipas tij, “ishin gjetur prova të reja”.

Për vendimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës Supreme thotë se janë marrë “nën ndikimin e politikës dhe kryerësve të vrasjeve politike”.

Mehmeti premton se kërkesën e tij me pëlqimin e prokurorit të EULEX-it për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit dhe “vendimet skandaloze të Gjykatave” do t’i publikojë në të ardhmen e afërt.

Mehmeti thotë se është duke pritur përgjigje nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vendimet e Gjykatës Supreme, e cila sipas tij nuk lejon zbutjen e dënimit edhe pse ka prova të reja dhe është e mbështetur edhe nga prokurori dhe kryeprokurori i EULEX-it, raporton Kallxo.com.

Ditë më parë, në një intervistë për televizionin Klan Kosova, Shkumbin Mehmeti ka përmendur emra të njerëzve që kanë qenë pjesë e grupit kriminal që kanë kryer vrasjet politike të pasluftës dhe urdhërdhënësit e tyre.

Dje, Prokuroria e shtetit përmes një komunikate e ka pranuar se është kontaktuar nga i dënuari, i cili, sipas saj, në shkëmbim të informacioneve për vrasje ka kërkuar prishjen e aktgjykimit.

Shkumbin Mehmeti, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorirsë Speciale të enjten në Klan Kosova foli për vrasjet e Tahir Zemajt dhe policëve Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj.

Deklarata e tij shkaktoi reagimin e familjeve të këtyre personave që kërkuan nga shteti ta marrë seriozisht dëshminë e Mehmetit.

Prokuroria më tutje në komunikatë tregoi për një letër që e mori nga Shkumbin Mehmeti në vitin 2016.

“Më vonë më 29.11.2016, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar një letër të tij, ku thuhet se dëshiron të takohet me prokurorët, për të dhënë informata në lidhje me vrasje”, thuhet në komunikatë.