Fillimi i punimeve në rrugën “Bujar Roka”

Fillimi i punimeve në rrugën “Bujar Roka”

Sot kanë filluar punimet në rrugën “Bujar Roka” në Komunën e Gjakovës, një investim prej 3.5 milionë euro nga Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës.

Para të pranishmëve, Kryeministri në largim Ramush Haradinaj, tha se sot po fillon puna në një arterie të qytetit, e nevojshme, por jo e vetmja, e që ka ardhur falë punës dhe angazhimit të të gjithë qytetarëve të Gjakovës, të gjithë shqiptarëve kudo që janë, duke kujtuar se sa e dhembshme dhe e shtrenjtë është liria e Kosovës për Gjakovën.

Ende sot e kësaj dite Gjakova i ka plagët e pa mbyllura. Ka ende të pagjetur, ka shumë sfida me të cilat përballen qytetarët, familjet, njerëzit e këtij vendi. E dimë se ka të rinj e të reja që presin punë, por diku fillon e mbara”, tha Haradinaj, duke shtuar se e mbara ka filluar me rritjen e besimit me udhëheqjen e kësaj qeverie.

Duke theksuar se zgjerimi i rrugës Dollc – Gjakovë është një projekt i madh, sepse pa infrastrukturë nuk ka zhvillim ekonomik dhe vende të punës, Haradinaj tha se më në fund po vendoset e drejta për Gjakovën, një e drejtë që i është mohuar jo vetëm në infrastrukturë, sepse ajo është pikënisje, por edhe në punë të tjera.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, tha se sot po bëhet realitet projekti për zgjerimin e kësaj rruge, ashtu siç do të bëhet realitet edhe Autostrada e Dukagjinit.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, vlerësoi këtë si ditë të jashtëzakonshme për qytetarët e kësaj komune, investim ky më i madhi në infrastrukturë që ka ndodhur ndonjëherë në Gjakovë./21Media