Sipas KMDLNj-së po shkelen të drejtat e një komuniteti fetar

Sipas KMDLNj-së po shkelen të drejtat e një komuniteti fetar

KMDLNj me anë të një komunikate për media vlerëson se në Kosovë janë duke u zbatuar standarde të dyfishta në lidhje me fushën e lirive fetare.

Ky reagim i KMDLNJ-së vjen pas inicimit të një peticioni që kundërshton ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë si dhe mos dhënia e lejes për ndërtim.

Kjo pasi që sipas KMDLNj-së u lejua ndërtimi i Katedrales në vend të shkollës ku ishte, kisha në Llapushnik si dhe Patrikana e Pejës që ia ka devijuar edhe rrjedhën e lumit.

“KMDLNj e njeh të drejtën e peticionit si njërin nga mjetet demokratike me të cilin kundërshtohet apo përkrahet një iniciativë që shkon në dëm apo dobi të qytetarëve. Me peticionin e fundit po bëhen përjashtime në baza fetare, po shkelen të drejtat e një komuniteti fetar (shqiptarë të besimit islam, turq, goranë, boshnjakë, romë, ashkalinj dhe egjiptas – qytetarë të Kosovës) duke ua mohuar të drejtën elementare të ndërtimit të objekteve të kultit edhe në rast kur nuk janë në kundërshtim me ligjin. Llogaritet se afërsisht 85% të qytetarëve të Kosovës janë të besimit islam andaj, me këtë peticion i cili nuk ka asnjë bazë ligjore, njerëzore, morale dhe logjike po i bëhet një shërbim shumë i keq raporteve të mira ndërfetare që kanë qenë deri më tani në Kosovë”

Sipas tyre me këtë peticion po rrezikohen të drejtat e njeriut të besimtarëve të besimit islam në Kosovë pavarësisht përkatësisë etnike sikur që po inkurajohet një diskurs i rrezikshëm, ai i përçarjes në baza fetare.

“Me këtë peticion po bëhet një presion ndaj autoriteteve komunale të Prishtinë që janë përgjegjëse për dhënien e lejes urbanistike për ndërtimin e xhamisë në lokacionin e ndarë nga po kjo komunë, me një kryetar tjetër”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së./21Media