Mustafa akuzoi zyrtarët e VV-së, që sipas tij, nuk kanë përgjegjësi për pozitat e tyre

Mustafa akuzoi zyrtarët e VV-së, që sipas tij, nuk kanë përgjegjësi për pozitat e tyre

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa lidhur me situatën e krijuar në Kosovë si pasojë e koronavirusit, sot u shpreh se do të ishte i lumtur nëse vendi do t’i kishte aktivizuar të gjitha potencialet dhe nëse do të kishte siguruar disiplinë krahas rrezikut nga koronavirusi.

Mustafa përmes një shkrimi të gjatë në facebook theksoi se para 5 ditëve ka dhënë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme, sepse siç shtoi ai nuk do ta pengonte askënd.

“Se nuk është koha ti masim muskujt, se kush është më i forti, por të bashkojmë muskujt, të krijojmë sinergji, ku 1+1 bëjnë 3. Çështja u trajtua me konspiracion nga Kryeministri. Problemi i tij dhe i papagajëve që e rrethojnë u thjeshtëzua se kush duhet të jetë më i fuqishem, ai apo Presidenti, por jo se si te mbyllet cikli i të gjitha masave. Bile u tentua nga të krisurit e oborrit qeveritar që kjo të cilësohet si tentim për grushtshtet.”, shkroi ndër të tjera Mustafa.

Ai më tutje akuzoi zyrtarët e VV-së, që sipas tij, nuk kanë përgjegjësi për pozitat e tyre dhe se sipas Mustafës po vazhdojnë me fushatë e propagandë.

“Me këtë logjikë duhet të anulohet Ligji për Buxhetin, sepse ai u aprovuar duke aluduar në situatë të jashtëzakonshme nga qeveritarët. Mirëpo as ideja për masa të jashtëzakonshme e as ajo kundër, nuk e ndali hovin e këtij virusi dhe vdekjen e parë nga ai. Prandaj, kur dëgjoj disa zyrtar të lartë qeveritar të VV-së se me çfarë papërgjegjësi flasin dhe si konstruktojnë aleanca, më vjen ta gjykoj veten për gabimin që e bëra kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz që s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që i mbajnë por vazhdojnë me fushatë dhe propagandë, për çfarë do t’ua kishin lakmi edhe regjimet më diktatoriale.”, përfundoi shkrimin Mustafa në facebook.

Kujtojmë që, numri i të prekurve nga koronavirusi në Kosovë mbrëmë ka arritur në 31, ndërsa sot është shënuar viktima e parë./21Media