Dimitrov mohon se Qeveria ka përgjuar

Dimitrov mohon se Qeveria ka përgjuar

Shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov i mohon akuzat të cilat vijnë nga Beogradi se shërbimet e sigurisë së Maqedonisë i kanë përgjuar diplomatët serbë. Dimitrov thotë se më 19 gusht, kur e ka marrë notën, menjëherë e ka kërkuar me telefon kolegun e tij serb, Ivica Daçiqin, por nuk arriti që të bisedojë me të. E kërkoi edhe gjatë ditës së djeshme përmes ambasadorit tonë në Beograd, dhe sipas të gjitha gjasave, nesër më në fund Daçiq dhe Dimitrov do të bisedojnë, shkruan tv21.tv

“Ne, përmes ambasadës sonë në Beograd, kërkuam informata zyrtare për këtë ngjarje. Nuk do të jetë mirë në qoftë se sjellim përfundime të shpejta para se ta marrim të gjitha informacionet”, tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

E derisa në nivel zyrtar bëhen përpjekje për qetësimin e situatës, mediat serbe e akuzojnë në mënyrë të ashpër kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaevin. “Zaev na nguli thikën pas shpine”, “Shërbimet maqedonase kanë ndjekur dhe kanë frikësuar diplomatët serbë”, “Zaev i shpalli luftë Serbisë”, këto janë disa nga titujt në gazetat e sotme serbe. Për herë të dytë për 6 muaj , Zaev është cak i mediave serbe pasi që në maj deklaroi se në krye të Serbisë ka nacionalist. Reagimi i fundit i shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq , vjen pas deklaratës se Shkupi zyrtar do të ndjekë hapat e shumicës në BE në lidhje me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Në qoftë se Serbia e kishte parasysh qëndrimin e BE-së, në atë rast, patjetër do të duhej ta anulonte vendimin e saj dhe ta njohë emrin nën të cilin ata vijnë në Bruksel dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe ky emër është FYROM”, u shpreh Ivica Daçiq, Ministër punëve të Jashtme të Serbisë, shkruan tv21.tv

Se Maqedonia ndërton marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinje, pohon edhe zv/kryeministri për euro integrime, Bujar Osmani.

“Gjithsesi se e ndjekim situatën, megjithatë nuk dëshirojmë të sjellim përfundime në mënyrë të shpejtë. Ne tani për tani mund ta përshëndesim vendimin e Serbisë, përkatësisht, qëndrimin e tyre zyrtar për mbrojtjen e marrëdhënieve miqësore dhe kthimin e gjendjes në kornizat e zakonshme”, u shpreh Bujar Osmani, Zv/Kryeministër për Euro integrime.

Por jo të gjithë në Serbi i arsyetojnë hapat e krerëve shtetërorë në lidhje me Maqedoninë. Analisti ushtarak, Aleksandar Radiq, vendimin e Serbisë për tërheqjen e të punësuarve në Ambasadën në Shkup, e vëlerëson si provë indirekte për humbjen e politikave serbe në Maqedoni.

“Në mënyrë të hapur nëpër mediat dhe nëpër shërbimet për kundër zbulim, mbështetni një opsion në Maqedoni. Ky opsion është i mposhtur dhe tani çfarë? Tani qeveria jonë nuk ka zgjedhje tjetër përveç se të bëjë gjithçka për ta ruajtur integritetin e saj”, u shpreh Aleksandër Radiq, analist ushtarak.

Sipas Radiqit, vërejtjet e publikuara nga ana e agjentit serb dhe deputetit në Kuvend, i cili i përfaqëson Serbët në Maqedoni, ishte provë e mjaftueshme për përzierjen e Serbisë në Maqedoni./21Media