"Danas" raporton se Kurti e Gjuriq zhvilluan "dialog të argumentuar", VV thotë se ishte në kuadër të panelit të diskutimit

“Danas” raporton se Kurti e Gjuriq zhvilluan “dialog të argumentuar”, VV thotë se ishte në kuadër të panelit të diskutimit

Gazeta “Danas” sot ka raportuar për  konferencën për dialogun në Ballkan e organizuar nga Instituti “Lindje-Perëndim” e cila u mbajt të premten në Berlin të Gjermanisë, e si penalist ishte edhe kreu i VV-së Albin Kurti.

Sipas “Danas” kreu i VV-së Albin Kurti është takuar me të ashtuquajturin drejtor të Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq dhe se kanë pasur një bisedë të argumentuar.

“Gjuriqi dhe Kurti u njoftuan dhe për herë të parë u ulën në të njëjtën tavolinë, zhvilluan dialog të argumentuar”, ka shkruar sot “Danas”.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka për portalin rtv21.tv tha se s’ka pasur asnjë takim të veçantë mes Kurtit e Gjuriqit.

“Nuk ka pasur asnjë takim të veçantë mes Albin Kurtit e Marko Gjuriqit, po kjo ka qenë në kuadër të panelit të diskutimit”, u shpreh Manxhuka.

Sipas Manxhukës, me Albin Kurtin në panel ishin: Susanne Schütz, Drejtore në MPJ të Gjermanisë, Mathew Palmer nga State Departamenti Amerikan, Drejtori Politik i MPJ të Spanjës, Enrique Mora Benavente, njeri i afërt i Josep Borrell, dhe, Ambasadori i mirënjohur amerikan, miku i Kosovës, Frank Wizner./21Media