Akademia deri në qershor ishte drejtuar nga akademiku Nexhat Daci

Akademia deri në qershor ishte drejtuar nga akademiku Nexhat Daci

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në mbledhjen e sotme ka zgjedhur kryetarin e saj. Akademiku Mehmet Kraja nga sot do të jetë në krye të ASHAK-ut.

Akademia deri në muajin qershor ishte drejtuar nga akademiku Nexhat Daci, i cili ishte zgjedhur kryetar më 21 dhjetor të vitit 2017 në zgjedhjet e rregullta. Vendimi që Daci të mos e ushtronte më funksionin e kryetarit ishte marrë nga organet ligjore dhe statutare, legale dhe legjitime të ASHAK-ut më 11 qershor të këtij viti pasi ai i kishte mbushur 75 vjet.

Deri më sot këtë funksioni e kishte ushtruar, akademik Jusuf Bajraktari.

Rreth Mehmet Krajës

Mehmet Kraja ka lindur më 27 qershor 1952 në Kështenjë të Krajës, fshat afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës, De­gën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqi­pe. Gjatë viteve 1974-76 ishte krye­redaktor i gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, Bota e re, më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën Ri­lindja, ku botoi tekste të shumta publicistike për çështje të ndryshme nga problematika kulturore dhe recensa e shkrime diskurzive për letërsinë. Në fund të viteve tetëdhjetë u inkuadrua në lëvizjet politike të kohës, duke u bërë njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë viteve 1992-99 jetoi dhe punoi në Tiranë. Në atë kohë e pushoi angazhimin politik dhe iu përkushtua letërsisë dhe publi­cistikës. Pas luftës së Kosovës ishte redaktor i kulturës në të për­ditshmen Zëri, më pas redaktor i shtojcës për kulturë në gazetën Koha ditore. Që nga viti 2002 është ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku jep lëndën e skenarit të filmit. Ka qenë anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Me shkrime letrare filloi të merrej që kur ishte nxënës i gjim­nazit në Ulqin. Tregimet e para i botoi në revistën letrare Jeta e re, nën përkujdesjen e Esad Mekulit. Deri më tani ka botuar dymbëdhjetë romane, katër vëllime me tregime, dhjetë drama dhe pesë libra nga fusha e publicistikës./21Media