Thaçi lavdëron punën e BQK-së

Thaçi lavdëron punën e BQK-së

Në 20 vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës u tha se gjatë këtyre dy dekadave është arritur progres i madh në sistemin financiar në Kosovë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti tha se 20 vjet më parë BQK filloi ndërtimin e një baze të sistemit financiar dhe hapi dyert për institucionet e huaja financiare. Gjatë kësaj periudhe ai tha se BQK ka shënuar progres të madh, ka ndërtuar sistem modern të pagesave dhe në përputhje më standardet ndërkombëtare, analiza të mirëfillta ekonomike, statistika cilësore dhe shërbime bankare për Qeverinë dhe qytetarët që është obligim ligjor.

Sipas guvernatorit, BQK ka arritur të krijojë një sistem financiar të aftë dhe se këtë bankë e presin sfida në të ardhmen që ballafaqohen edhe bankat tjera të rajonit, por që me reforma rregullative duhet të mundësohet zhvillimi i mëtutjeshëm të zhvillimit financiar.

“Gjatë kësaj periudhe Kosova ka shënuar progres në të gjitha shtyllat dhe aktivitetet e saj, ka ndërtuar një sistem modern të pagesave dhe duke ofruar shërbime efikase të furnizimit me para të gatshme për ekonominë, kornizë rregullative financiare në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kapacitetet mbikëqyrëse po ashtu në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, analiza të mirëfillta ekonomike që vlerësojnë punën në vendimmarrje,statistika cilësore dhe duke ofruar shërbime bankare për qeverinë dhe qytetarët”, tha Mehmeti.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi teksa ka lavdëruar punën e Bankës Qendrore të Kosovës tha se ky institucion financiar ndër vite ka shënuar rezultate të mëdha, që ka ndikuar në sistem modern të pagesave në sistem të mirëfilltë bankar. Sipas tij, BQK-ja ka pasur rol në integrimin ekonomik, sidomos me atë të Bashkimit Evropian është model për tërë rajonin.

Kreu i shtetit tha se sfidë për BQK mbetet integrimi i mëtutjeshëm i sistemit financiar me sistemet, tjera të vendeve të BE-së për t’u anëtarësuar në BE, derisa si sfidë tjetër e ka renditur edhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

“Në përvjetor të tillë duhet të projektohen edhe sfidat që e presin Bankën Qendrore të Kosovës dhe institucionet financiare të vendit. Një nga sfidat është integrimi i mëtutjeshëm tonë financiar në sistemet e vendeve të zhvilluara dhe plotësimin e të gjitha kritereve të sistemeve financiare të Kosovës për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Po ashtu sfidë është edhe ruajtja e stabilitetit financiar që kemi dhe ndërtimi i mekanizmave që do ta mbajnë këtë stabilitet financiar. Me përkushtimin e treguar deri tani kam besim të plotë se BQK do jetë në gjendje të përballet me sukses me këto sfida”, tha Thaçi.

Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang tha se BQK ka arritur progres mbresëlënës për këto dy dekada dhe sipas tij sfidat e sistemit financiar në Kosovës mund të tejkalohen përmes reformave të duhura dhe duke e pasur të qartë agjendën politike sa i përket fokusit strategjik.

Në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës ishin të pranishëm përfaqësues dhe drejtues ë institucioneve të tjera financiare të rajonit dhe më gjerë.

Ndërsa konferenca  e sotme me titullin “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik-rruga zhvillimore”, do jetë e ndarë në 4 sesione në të cilat do prezantohet studimi “Qeverisja Kooperative e Bankave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.