Mali i Zi mblodhi guvernatorët, ministrat e financave dhe drejtuesit e administratave tatimore të rajonit

Mali i Zi mblodhi guvernatorët, ministrat e financave dhe drejtuesit e administratave tatimore të rajonit

Guvernatorët, ministrat e financave dhe drejtuesit e administratave tatimore të vendeve të rajonit janë mbledhur në samitin e tetë me radhë në Mal të Zi. Temë e këtij samiti është “Stabiliteti financiar dhe monetar në rrethanat e rritjes së ngadalësuar në eurozonë”.

Në ditën e parë të këtij samiti, pjesëmarrës është edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i cili tha se për BQK-në mbetet sfidë ruajtja e stabilitetit financiar.

“Përvojat e deritanishme kanë treguar se trajtimi i krizave financiare është i kushtueshëm dhe nuk mund të kthehemi në gjendjen ku kemi qenë më parë, por duhet të punojmë në parandalimin e krizave të mundshme financiare. Është mirë të shfrytëzohen mundësitë për një komunikim të bankave qendrore dhe komerciale se ku është sektori bankar. Ne si BQK kemi krijuar një kornizë të re raportuese që na mundëson të shohim analizën e rriskut”, tha Mehmeti.

Mehmeti bëri të ditur se rritja ekonomike e Kosovës do të jetë 4.2 % për këtë vit.

“Për BQK-në mbetet sfidë ruajtja e stabilitetit financiar, kemi aktualisht sektor financiar stabil ku nëse shohim në kontest të indikatorëve kemi rritje të kredive 11%, depozitave rreth 10%, kapitali shënon 18% mbi minimumin, bankat janë likuide. Në Kosovë i kemi 10 banka, 8 me kapital të huaj. Sektori bankar për një kohë të gjatë ka norma të larta të interesit dhe norma të larta të fitimit. E në fundin e vitit 2018 kemi ulje të normës së interesit. Bilanci i gjendjes së sektorit bankar në Kosovë është i dominuar nga valuta zyrtare e Kosovës, që është euro. Ekonomia e Kosovës karakterizohet me rritje solide me 4% që është më e larta në rajon”, theksoi Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi, Radoje Žugić, është shprehur se ekonomia e tyre ka një nivel të pamjaftueshëm të konkurueshmërisë.

 “Qëllimi sipas meje është dinamizimi i rritjes ekonomike pa e fryer tullumbacin e tregut monetar. Ekonomia jonë ka një nivel të pamjaftueshëm të konkurueshmërisë. Likuiditeti ka filluar të rritet. Ne përdorim euron; kjo hapësirë për ndikim mbetet tek politika fiskale dhe në të njëjtën mënyrë duhet të punojmë duke hapur bazën ekonomike. Banka Qendrore të mbetet te korsia qendrore. Vendet e vogla duhe të përcjellin shëndetin ekonomik”, u shpreh ai.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se kriteret e shtrënguara të rriskut në banka sollën një ndryshim strategjik dhe sigurisht paralelisht me rënie të kreditimit në ekonomi.

“Stabiliteti financiar në këtë situatë mori një rëndësi parësore pasi ne u përballem me strategjitë e daljes të disa bankave që luan rolin kryesor në tregjet financiare. Ne si shumë banka qendrore të vendeve të rajonit ndoqëm një politika monetare lehtësuese duke ulur normën e interesit në historinë tonë, e cila u bë për të stimuluar kreditimin dhe konsumin. Kjo politikë monterare rezultoi e suksesshme. I suportuam tregjet me likuiditet. Objektivi ynë ishte të kishim konsolidim të sistemit bankar sepse kishim 16 banka në territorin e Shqipërisë. Pas ndryshimeve strukturore i kemi 12 banka, drejtë ruajtjes së cilësisë së aksionerëve të rinjë. Nuk kemi kërkesa të reja për dalje. Përsëri sistemi financiar ka pasur tregues të suksesshëm. Sfida jonë ka qenë jo vetëm për ruajtjen e sistemit bankar, por edhe kreditimin në ekonomi, pasi nga njëra anë kemi qenë të kujdesshëm për të menaxhuar ndryshimet. Rritja e kredisë që ka qenë mesatarisht 5% vit pas viti ka ardhur nga rritja e kredisë në lekë dhe jo në euro, ky është element pozitiv”, u shpreh ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Bosnjë Hercegovinës, Senad Softić, u shpreh se Banka Qendrore e Bosnjës dhe Hercegovinës është përballur me një situatë interesante.

“Kemi 23 banka. I vetmi instrument i bankës qendrore është rezerva. Mediat nuk janë në favorin tonë, akuzojnë bankën qendrore për diçka që nuk është faji i saj”. u shpreh Softić.

Michael Faulend nga Banka Nacionale e Kroacisë, tha se vendi nuk ka probleme me kapital dhe se Kroacia realizon suficitet në buxhetin e vet. “Ne e mbajmë kursin e fiksuar”, tha ai./21Media