LSDM paralajmëron se shumë shpejt do të ketë Qeveri

Edhe pas 12 vazhdimeve të seancës konstitutive në Maqedoni asgjë nuk është zgjidhur në Kuvend

Zgjidhja e kryetarit të Komisionit për zgjedhje dhe për emërime dhe e kryetarit të Kuvendit assesi nuk po vihen në rend të ditës. Nga LSDM shprehen se kanë zgjidhje për formimin e Qeverisë së re në rast se vazhdon bllokimi i Kuvendit.

Megjithatë ata nuk tregojnë se në çfarë mënyre do të realizohet një gjë e tillë. Sot, njëjtë si dhe ditëve të tjera, ata vetëm deklaruan se formimi i qeverisë do të ndodhë shumë shpejtë, në përputhje me Rregulloren, Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Njëherazi, socialdemokratët vazhdojnë t’i bëjnë thirrje kryetarit të shtetit, Gjorgje Ivanovit që të mos i pengojë – siç thonë – proceset demokratike, shkruan TV21.TV

“Ne insistojmë që Qeveria dhe instancat e tjera, përfshi edhe kryetarin e Republikës së Maqedonisë, të kthehen në suazat e kushtetutës dhe të ligjshmërisë dhe ta respektojnë atë që është e caktuar me ligj. Këta po i shkelin kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi ndërsa ne si dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar – madje edhe nën kërcënimin me sanksione – bëjmë thirrje që të ndalojnë së penguari zbatimin e vullnetit të shprehur në zgjedhje”, tha Robert Alagozovski, LSDM.

LSDM vazhdimisht përkujton se e ka siguruar shumicë parlamentare legjitime, pas të cilës qëndrojnë të paktën 700 mijë qytetarë të cilët votuan për ndryshim të regjimit, dhe se ka për obligim që ta zbatojë vullnetin e popullit, duke i parandaluar politikat destruktive të Gjorgje Ivanovit dhe të Nikolla Gruevskit. VMRO-DPMNE shumë shpejtë reagoi me një deklaratë nëpërmjet të cilës edhe një herë e akuzoi liderin e LSDM-së, Zoran Zaevin se e ka pranuar “Platformën e Tiranës” dhe po mundohet që të njëjtën ta zbatojë.

“Krimineli Zoran Zaev për amnistinë e tij personale për krimet që i ka bërë është i vendosur që Maqedoninë ta bëjë vend dygjuhësor, ta akuzojë popullin dhe vendin e tij për gjenocid, ta ndërrojë emrin e shtetit të tij sipas qejfit të grekëve dhe në fazë përfundimtare ta federalizojë Maqedoninë. Qytetarët janë kundër çdo lloj platforme të huaj dhe kundër përzierjes në punët e brendshme në Maqedoninë”, nga VMRO-DPMNE.

Një polarizim i këtillë ndërmjet LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së nuk jep shpresë se në seancën e nesërme parlamentare do të mbahet një debat thelbësor, në vend të replikave të pafundme nga radhët e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët praktikisht po e bllokojnë zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe të qeverisë së re në Maqedoni./21Media

Back to top button