Memorandum bashkëpunimi mes UP-së dhe Klubit të Prodhuesve

Ka për qëllim shkëmbimin e informacioneve

Është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës që ka për qëllim shkëmbimin e informacioneve.

Rektori Marjan Dema dhe drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha vlerësuan lartë këtë arritje të bashkëpunimit për studentë dhe prodhues të vendit që ka një impakt për zhvillimin ekonomik.

Rektori Dema tha se ky është vetëm edhe një hap në procesin e orientuar drejt tregut të punës. Ai pret nga ky memorandum të mos jetë vetëm në letër, por edhe të jap rezultate ngase tërë strategjia e universitetit është drejt rezultateve. Mes tjerash tha se është më rëndësi për studentët që do të kryejnë hulumtime të ndryshme nga prodhues të ndryshëm.

“Ky është vetëm edhe një hap më tutje në procesin e transformimit të Universitetit të Prishtinës, nga një universitet që ka qenë më tepër teorik, në një universitet të orientuar nga biznesi, nga tregu i punës, bashkëpunimi me komunitetin. Pikërisht në këtë bashkëpunim do të fokusohemi më tepër në shkëmbimin e informacioneve, sepse ne si shoqëri duhet të orientohemi nga informacioni”, deklaroi Dema.

Ndërsa, Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës pohoi se sektori i prodhimeve është i ri në Kosovë, ndaj ka nevojë për ekspertiza të reja. Panxha po ashtu tha se kjo marrëveshje ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës

“E dimë që sektori i prodhimeve është i ri në Kosovë, kemi nevojë për ekspertizë në aspektin e kërkimeve të ndryshme. Kemi fakultetin elektroteknik, fakultetin ekonomik, pra për neve të gjitha këto janë si jë burim që duhet të ta shfrytëzojmë më shumë. Besoj që bashkëpunimi mes dy organizatave do të krijon një sinergji për ekonominë e Kosovës”, theksoi Panxha.

Ndryshe, nën organizimin e Klubit të Prodhueseve nesër nisë ngjarja vjetore treditore Festivali i Gjelbër, i cili promovon bizneset e gjelbra të Kosovës dhe nxitë interesimin për riciklim, energji të ripërtritshme dhe efiçencë energjetike.

Sektori i gjelbër në rritje e sipër në Kosovë ofron mundësi të konsiderueshme për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës. Në Festivalin e Gjelbër të vitit të kaluar, 23 ndërmarrje pjesëmarrëse realizuan mbi 1.3 milionë euro shitje. Këtë vit, me pjesëmarrjen e 41 ndërmarrjeve kosovare të bazuara në energji të gjelbër që do të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre në festival, priten edhe më shumë kontrata dhe marrëveshje eksporti.

Back to top button