Menaxhmenti i Postës i përkrahë kërkesat e punëtorëve

Menaxhmenti kërkon nga Qeveria të merret me kërkesat e ndërmarrjes

Sindikatat e punëtorëve të Postës së Kosovës dhe të gjithë punëtorët do të hyjnë sot në Grevë të Përgjithshme. Me këtë rast, menaxhmenti i Postës ka bërë të ditur se i përkrahë kërkesat e punëtorëve.

Menaxhmenti i Postës po përcjell me vëmendje dhe me shqetësim grevën e organizuar nga sindikatat dhe punonjësit e ndërmarrjes.

Menaxhmenti siç njoftohet në komunikatë ka paralajmëruar në muajin Mars 2018 se nuk do të ketë mundësi të bëj ekzekutimin e pagave të punonjësve e as të paguaj shpenzimet operative të ndërmarrjes, nëse Qeveria nuk e kryen obligimin ligjor qe ka ndaj ndërmarrjes për mbulimin e humbjeve në Shërbimin Universal Postar.

”Për shkak te mosmbulimit të Shërbimit Universal Postar, ne jemi detyruar që për disa muaj radhazi të bëjmë ekzekutimin e pagave  në dy pjesë. Iu kemi dhënë prioritet gradave nga 1-5 ndërsa nga grada 5- 17 pagat janë paguar me vonesë. Gjithashtu, kemi pasur probleme në pagesat e TVSH-së ndaj ATK-së dhe tani nga kjo e fundit kemi paralajmërime për bllokim të llogarive tona bankare”, bëhet e ditur në komunikatë.

Menaxhmenti kërkesat e Sindikatave dhe punonjësve të Postes i konsideron të drejta dhe të ligjshme përmes realizimit të të cilave theksojnë se do të bëhen ndërmarrje stabile e vetëqëndrueshme në aspektin financiar, duke marrë përsipër edhe shërbime të reja në ndërmarrje.

”Si Menaxhment i ndërmarrjes lusim Qeverinë e Kosovës që sa më shpejt të merret me kërkesat e ndërmarrjes sepse çdo ditë vonesë do të jetë me pasoja shumë të rënda për ne, ndërmarrjen dhe imazhin e saj në përgjithësi”, bëhet e ditur më tutje në komunikatë./21Media

Back to top button