Reagim i Shoqatës së Prokurorëve ndaj tendencave denigurese të sistemit prokurorial

Reagim i Shoqatës së Prokurorëve ndaj tendencave denigurese të sistemit prokurorial

Këshilli Drejtues i Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, në takimin e mbajtur sot ka diskutuar për gjendjen e krijuar pas dorëheqjes së ish-prokurorit special, Elez Blakaj.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si institucion joqeveritar, e cila ka obligim statutar të mbrojë interesat e prokurorëve të Shtetit, konsideron se menaxhmenti i sistemit prokurorial nuk mund të degradohet nga qarqet e caktuara politike, apo individë të caktuar nga shoqëria civile, sepse kjo konsiderohet ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e pavarur të sistemit prokurorial dhe tendencë për të dëmtuar hetimet në rastet e caktuara penale”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës njofton opinionin publik se deri më tani asnjë prokuror i sisitemit prokurorial të Kosovës, duke përfshirë dhe Blakajn, nuk ka shprehur asnjë shqetësim, qoftë si kërcënim apo si ndikim në punën e tij të pavarur dhe të paanshme nga kushdoqoftë.

“Andaj, deklarimet publike për kinse kërcënimet dhe ndikimet brenda sistemit prokurorial janë për të mbuluar interesat e tij personale apo të kujdotjetër. Për më tepër, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës zotohet se do të reagojë më fuqishëm, duke kërkuar përgjegjësi nga prokurorët që me veprimet e tyre dëmtojnë imazhin e sistemit prokurorial, interesat e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës mbështet fuqishëm punën e çdo prokurori individualisht dhe organeve menaxhuese të sistemit prokurorial, si dhe dënon çdo tendencë për të denigruar përkushtimin e secilit prokuror në mënyrë individuale dhe kolektive, gjë që është plotësisht e papranueshme dhe nuk i ndihmon zbatimit të Ligjit në Republikës e Kosovës, vijon njoftimi nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës./21Media