Të gjitha institucionet publike të Kosovës sot e kanë ditë pushimi

Të gjitha institucionet publike të Kosovës sot e kanë ditë pushimi

Kjo pasi që dje ka qenë 9 prilli, data kur është miratuar Kushtetuta e Kosovës.

Në bazë të ligjit për festa zyrtare, kur festa bie të shtunën ose të dielën, dita e parë e punës është ditë pushimi.

Se a duhet të pushohet një ditë pas festës zyrtare Kp ka anketuar disa nga qytetarët të cilët të hënën kishin dalë për të shëtitur në sheshet e kryeqytetit.

Qytetarët e anketuar dhanë mendime të ndryshme se a duhet që të pushohet apo jo. Por kishte edhe të tillë që nuk e kishte idenë se për qfarë sot është ditë pushimi.

Shkurte Berisha tha se nuk e ka idenë se për qka sot është ditë pushimi.

“Jo absolute nuk e di çfarë feste është hiç…”, tha ajo.

Njëjtë si Shkurta është përgjigjur edhe Ekrem Morina.

Sipas tij, kjo nuk po vërehet pasi që gjithnjë është në punë dhe se nuk i ka ra të pushojë.

“Jo valla, për festa nuk marr vesh, se na festa pa festa gjithë kemi punu kështu që nuk marr vesh në këso gjërash”, tha Morina.

Ndërsa një tjetër mendon se sot është Dita e Evropës. Gruaja e quajtur Mensure ka thënë se pasi që edhe Kosova është me Evropën, ia vlen të festohet kjo ditë.

“Ja vlen të festohet. Ja vlen. Dita e Evropës. Edhe na jemi me Evropën, kështu që ja vlen me u festu”, tha Mensurja.

Për Gani Xharrahun kjo festë nuk duhet të anashkalohet pasi që sipas tij nëse ndodh kjo atëherë vendi do të dukej keq.

“Sot është me sa e di unë, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me siguri ia vlen me festu sepse për herë të parë e kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nëse e anashkalojmë atë ditë atëherë do të thotë se kemi probleme me vetveten”, tha Xharrahu.

Njëjtë si Ganiu mendon edhe Gëzim Llapashtica. Ai tha për KosovaPress se duhet të ketë pushim për Ditën e Kushtetutës, mirëpo sipas tij është mirë që ajo të mos shkliet dhe të zbatohet në tërësi.

“Festa e Kushtetutës ia vlen të festohet, sepse qysh kanë thënë edhe të moshuarit, kur nuk ka shi edhe breshëri është i mirë se ardhur .Kjo Kushtetutë që është mirëpo mos të shkelet, por të kuptohet në mënyrë të plotë në mënyrë që të implementohet ashtu siç duhet”, tha Gëzim Llapashtica.

Për Dritën më mirë është që mos të pushohet për festë zyrtare siq është kjo e Kushtetutës pasi që njëjtë nuk e kanë edhe ata që punojnë në punë private.

“Sot është dita e Kushtetutës… Këtu shteti po e feston, nuk po punon… mirëpo privatët gjithandej po e shoh se po punojnë, edhe nuk po e di tash se a ia vlen të festohet, sigurisht që nuk ia vlen”, u shpreh ajo.

Ndërkaq mendim tjetër kishte Kemail Islami, sipas të cilit, pushtetarët Kushtetutën po e ndryshojnë për interesa personale duke e bërë që të duket sikur një fletore në të cilën shkruan kush të dojë dhe çfarë të dojë.

“Nuk e di se a është e drejtë përderisa Kushtetutën e kanë bërë si fletore për të shkruar me laps, edhe e fshijnë sa herë që të duan”, tha ai.

Sulejman Ahmetaj konsideron se përkundër faktit që po festohet, rezultatet nuk po shihen.

“Sot po festohet në mbarë Kosovën… për të arriturat e deritashme për sukseset por ne nuk po i shohim të mirat që janë realizu”, tha Ahmetaj.

Për qytetarin Shefki Gashi është normale që festat zyrtare që bien gjatë fudjavave të zëvendësohen ditëve të punës.

“Sot është Dita e Kushtetutës së Kosovës e cila është aprovu para nëntë viteve e është dashtë të festohet atë ditë por meqenëse dje ka qenë e diel, festohet sot dhe nuk shoh ndonjë gabim këtu sepse është një datë shumë me rëndësi”, tha Gashi.

Kosova i ka gjithsej 11 festa zyrtare, 1 dhe 2 janar për Vitin e Ri, Krishtlindjet Ortodokse, Dita e Pavarësisë së Kosovës, Pashkët Katolike dhe Ortodokse, Dita e Kushtetutës, Dita e Evropës, 1 Majin, Bajrami i Madh dhe i Vogël dhe Krishtlindjet Katolike.