Mentor Shuki ishte arrestuar për narkotikë

Mentor Shuki ishte arrestuar për narkotikë

Sot në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore në procesin në të cilin moderatori kosovar, Mentor Shuki, po gjykohet për posedim të substancave narkotike, ndërsa Nebojsha Deniq për posedim dhe shitje të këtyre substancave.

Gjyqtari i rastit, Naser Foniqi, ka konfirmuar për kallxo.com se i akuzuari Mentor Shuki ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë dhe se shpallja për këtë rast do të bëhet nesër. Ndërsa mbrojtësi i Mentor Shukit, avokati Asdren Bytyci kontaktuar, tha se nuk mund të deklarohet.

Në vitin 2017  Mentor Shuki ishte arrestuar për narkotikë.

Prokuroria në Prishtinë po e akuzon Mentor Shukin për posedim të substancave narkotike, ndërsa Nebojsha Deniqin për posedim dhe shitje apo shpërndarje të substancave narkotike.

Sipas aktakuzës, në mars të vitit 2019 në Prishtinë, policia pasi kishte kontrolluar të pandehurin Mentor Shukin ka gjetur se i njëjti ka poseduar një qese të vogël të mbushur me substancë të dyshuar narkotike Amfetamine, e cila pas peshimit ka gjetur se kanë qenë 4 gramë. Përveç kësaj, të akuzuarit Mentor Shuki i janë gjetur edhe një shishe e xhamit e mbushur me tretësirë të lëngët pa ngjyrë e pa erë e dyshuar si substancë narkotike e llojit GHB, e cila ka peshuar 84 gramë dhe një shishe tjetër e xhamit e mbushur me tretësirë të lëngët pa ngjyrë dhe pa erë e dyshuar si substancë narkotike e llojit GHB.

Më tej në aktakuzë thuhet se në mars të këtij viti pasi kishin pranuar informacion se ka aktivitete të kundërligjshme në një shtëpi, policia ka zbatuar urdhër kontroll dhe ka rezultuar se aty banon i akuzuari Nebojsha Deniq, i cili pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes ka shitur substanca narkotike dhe gjatë kontrollimit janë gjetur dhe konfiskuar 149 gramë substancë e dyshuar narkotike llojit amfetamine, 204 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 17 gramë fara kanabisi dhe një peshore digjitale./kallxo.com