Mërgimtarë nga Evropa ia kanë mësy Kosovës

Bashkatdhetarët janë shprehur se nuk kanë hasur në kolona të mëdha

Mërgimtarë nga vende të ndryshme të Evropës po vijnë me shumë qejf në Kosovë, ndërsa kanë dalë jashtë që të çlodhen dhe të bëjnë sigurimin e veturave të tyre.

Përkundër faktit se Ministria e Diasporës, javë më parë, për shkak të punimeve në terminalin e ri, por edhe për shkak të përqendrimit që ndodh në Merdare gjatë ardhjes së mërgimtarëve, ka rekomanduar që aq sa ka mundësi, të shmanget si pikë dhe të shfrytëzohen pikat e tjera kufitare, bashkatdhetarët për KosovaPress, janë shprehur se nuk kanë hasur në kolona të mëdha.

Sami Halili nga Gjermania, u shpreh se në pikën kufitare në Merdarë, nuk kanë hasur në kolonë fare.

Për pritjet e gjata, Osman Guri, i cili kishte ardhur nga Gjermania, tha se po i hasin në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, përkatësisht në Suboticë.

Mërgimtari Valdrin Aliu, sa i përket pengesave që mërgimtarët hasin gjatë rrugës për në Kosovë, tha se problem mbeten pritjet e gjata si shkak i kolonave si dhe udhëtimi në mot të nxehtë.

“Kolonat e gjata… dhe temperaturat e larta më së shumti”, u shpreh ai.

Një problem tjetër për mërgimtarët e shtroi Isa Berisha, i cili kishte ardhur për t’i kaluar pushimet në Kosovë nga Hamburgu i Gjermanisë.

Ai tha se po manipulohet me këmbimin valutor në shtetet që nuk e kanë euron monedhë të tyren.

Ndërkaq, për mërgimtarin Bashkim Mullaku nga Podujeva, sigurimi i veturave, mbetet problem kryesor i mërgimtarëve në Merdare, përderisa shprehet se kanë vërejtur përmirësime në pikën kufitare në Kosovë.

Ai tha për KosovaPress se çështja e sigurimit të veturave nuk ka të bëjë me pagesën që duhet të bëjnë ata, por siç tha ai, kartoni i gjelbër duhet të njihet edhe në Kosovë sikur në gjithë vendet e tjera evropiane.

Për Sabit Cakiqin, pensioner nga Gjermania, i cili jeton atje tash e 45 vite, rruga e gjatë prej 36 orëve, nuk duket të jetë problem për të.

Ndërsa shtoi se gjatë rrugës në Serbi ndonjëherë hasin në ndonjë vështirësi por që siç tha ai, me nga një kafe tejkalohen ato.

Nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në Kosovë deri pak pas orës 14, janë pika kufitare në Merdarë, Vërmicë, Han të Elezit dhe Dheu i Bardhë që kanë regjistruar numër më të madh të mërgimtarëve që kanë hyrë të dielën në Kosovë.

Vetëm në Merdarë sipas QKMK-së ka pasur kolona prej 150 deri në 180 metër. Ndërkaq, në Vërmicë sipas këtij raporti, janë evidentuar kolona prej 100 deri në 150 metër në pesë korsi.

Janë pikat kufitare si në Qafë të Morinës, Mutivodë, Bërnjak e Muçibabë që kanë fluks më të vogël të mërgimtarëve që sot ia kanë mësy Kosovës.

Ndryshe, Ministria e Diasporës njofton se meqë tash është koha e pushimeve, kur bashkatdhetarët vijnë në atdhe, u rekomandon që paraprakisht, para se ta marrin rrugën për në Kosovë, ta konsultojnë ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Qendrën kombëtare të menaxhimit kufitar, e cila për çdo ditë pasqyron situatën në pikat kufitare, duke treguar edhe për kohën e pritjes.

“Duke konsultuar këtë faqe, bashkatdhetarët do të kenë mundësi të kalojnë aty ku e kanë më lehtë dhe ku nuk krijohet kolonë e gjatë pritjeje. Për çfarëdo problemi ose halli që mund t’u paraqitet gjatë rrugës, bashkatdhetarët menjëherë duhet të njoftojnë Policinë e Kosovës dhe Zyrën e Kosovës në Beograd”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo ministri.

Sipas statistikave, të dielën nuk ka pasur pritje më shumë se 10 minuta dhe gjendja në pikat kufitare duket të jetë e qetë./21Media

Back to top button