Periudha e aplikimit ka filluar më 30 gusht

Periudha e aplikimit ka filluar më 30 gusht

Kanë mbetur edhe 32 orë deri në përfundim të afatit për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, periudhë kjo që ka filluar më 30 gusht. E sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri paraditen e së hënës, janë pranuar 15 mijë e 200 aplikime për regjistrim si votues jashtë vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë mërgimtarët që plotësojnë kriteret ligjore që të aplikojnë në mënyrë që të votojnë përmes postës në periudhën e caktuar, e që është prej 18 shtator – 4 tetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për KP ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë maksimumin për të krijuar hapësirë sa më të madhe, në mënyrë që të ketë sa më shumë aplikime për regjistrim të votuesve jashtë vendit.

Ai tregoi se gjatë kësaj periudhe nuk është evidentuar ndonjë problematikë, teksa ftoi diasporën që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të aplikuar për regjistrim.

“Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 30 gusht tashmë është pothuajse në përfundim, pra do të mbyllet të martën më datën 10 shtator. Mund të konfirmoj se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur ndonjë problematikë e cila është shfaqur… KQZ inkurajon të gjithë ata ose ato që plotësojnë kriteret ligjore që të aplikojnë, fillimisht do të thotë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj edhe të votojnë përmes postës në periudhën e caktuar 18 shtator deri 4 tetor”, ka thënë ai.

Nëse krahasojmë kohëzgjatjen e kësaj periudhe me të njëjtën periudhë zgjedhore të vitit 2017, Elezi ka thënë se kësaj radhe ka pasur më shumë ditë në dispozicion për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

“Në vitin 2017, pra për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, kemi pasur 8 ditë në dispozicion, ndërkaq kësaj radhe janë 4 ditë më shumë pra vetëm për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Ndërkaq, për periudhën e votimit përmes postës, e cila fillon me 18 shtator dhe përmbyllet më datën 4 tetor, kemi një ditë më shumë në dispozicion, krahasuar me të njëjtën periudhë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2017”, ka thënë Elezi.

Ai ka thënë se KQZ ka krijuar disa lehtësira për të thjeshtuar procesin e aplikimit, ku ndër to është mundësia e aplikimit përmes ndonjërës nga adresat elektronike të KQZ-së.

“Në mesin e lehtësirave, të cilat i ka krijuar KQZ edhe gjatë proceseve të kaluara, pra është mënyra e aplikimit, e cila përveç që mund të bëhet përmes fahut postar dhe faksit të KQZ-së, e cila është përcaktuar me ligj, KQZ me rregulloren për votim jashtë vendit ka mundësuar që aplikimi si votues jashtë vendit të bëhet edhe përmes ndonjërës nga e-mail adresat e shërbimit votues të KQZ-së dhe konsiderojmë që kjo lehtësi i ka shërbyer shumë këtij procesi zgjedhor dhe sidomos kësaj faze”, u shpreh ai.

Elezi ka thënë se sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri paraditen e së hënës, janë pranuar 15 mijë e 200 aplikime për regjistrim si votues jashtë vendit, ndërsa kujton se gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 2017, gjatë periudhës së aplikimit nga 15 deri 22 maj, ka pasur rreth 21 mijë aplikime.

“Gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2017, gjatë periudhës së aplikimit nga 15 deri 22 maj, kemi pasur rreth 21 mijë aplikime, të cilat janë bërë përmes ndonjërës nga ato mundësitë, të cilat i përmenda më herët. Prej tyre më shumë se 15 mijë kanë qenë të aprovuara, ndërsa 5200 e ca kanë qenë të refuzuara. Ndërkaq, në periudhën e votimit, pra përmes postës, e cila është zhvilluar në atë kohë, të dhënat flasin se ne kemi pranuar mbi 5 mijë pako të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur nga jashtë dhe sigurisht që pastaj janë numëruar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve”, tregoi Elezi.

Ndryshe, afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 30 gusht dhe përfundon nesër, më 10 shtator në mesnatë. Ndërsa atyre të cilëve do t’iu aprovohet aplikimi do të kenë mundësinë që të votojnë nga data 18 shtator deri më 4 tetor.