Merkel dëshiron takim me Erdoganin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel shpreson të ketë nesër në Bruksel një takim kokë më kokë me presidentin turk

Zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert deklaroi  në një konferencë shtypi se është e mundur që një takim me presidentin turk, Erdogan të zhvillohet në kuadër të samitit të Aleancës Atlantike.

”Nëse ky takim kokë më kokë do të konfirmohet, ka një numër çështjesh të aktualitetit që kancelarja dëshiron të ndalet, veçanërisht të drejtën e vizitës së parlamentarëve gjermanë tek ushtarët tanë”, shtoi zëdhënësi i Merkelit.

Pa shpjegime zyrtare, Ankaraja ndaloi javën e kaluar deputetët gjermanë të shkonin në bazën turke të Incirlikut, ku ndodhen ushtarët gjermanë për të marrë pjesë në operacionet e koalicionit ndërkombëtar kundër grupit xhihadist të Shtetit Islamik.

Në rast të takimit mes Angela Merkel dhe Recep Tayyip Erdogan theksoi Seibert, do të diskutohet gjithashtu për çështjen e gazetarëve të burgosur, mes të cilëve korrespondenti gjermano-turk, Deniz Yucel dhe gazatarja gjermane, Mesale Tolu./21Media

Back to top button