Kancelarja e Gjermanisë konfirmon se do të kandidojë sërish për një mandat tjetër

Kancelarja e Gjermanisë konfirmon se do të kandidojë sërish për një mandat tjetër

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, në intervistën dhënë televizionit ARD konfirmoi se në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të zhvillohen më 24 shtator, ajo do të kandidojë sërish për një mandat tjetër të plotë katërvjeçar.

Ajo gjatë intervistës mbrojti politikën e saj të migracionit, duke refuzuar sërish vendosjen e kufirit të epërm për numrin e refugjatëve, të cilin e pranon Gjermania.
Përcaktimin e kufirit të epërm po e kërkon partia CSU, e cila është në koalicion me demo-kristianët e Merkelit në nivelin qendror, transmeton rtv21.tv

Dhjetë javë në prag të zgjedhjeve, rivali socialdemokrat i Merkelit, Martin Shulc, ka akuzuar kancelaren se po jep premtime boshe për ardhmërinë politike dhe ekonomike të Gjermanisë.

Megjithatë, Merkel hodhi poshtë akuzat se po injoron infrastrukturën e vendit, nënvizoi se investimet janë shtuar, por pranoi se në disa pjesë të Gjermanisë ka pengesa kur bëhet fjalë për kapacitetet dhe planet për shpenzimin e mjeteve.

Gjermania ka ndarë miliarda euro për investime në shkolla, çerdhe, spitale dhe për ndërtimin e banesave, por autoritetet lokale deri me tani, për shkak të problemeve në planifikim, kanë shpenzuar vetëm një pjesë të këtyre mjeteve./21Media