Merkel me përkrahje për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Të dy vendet bënë progres të konsiderueshëm”

Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës së sotme në Shqipëri, tha se mbetet në qëndrimin se në mars duhet të arrihen rezultate konkrete për hapjen e negociatave  për anëtarësimin e Shqipërisë dhe RMV-së në BE.

“Në emër të qeverisë së Gjermanisë dua të them se ne e përkrahim perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ne duam që këto shtete t’i afrojmë deri te BE-ja dhe mbi të gjitha duam të arrijmë marrëveshje që në Këshillin e ardhshëm të Evropës në mars t’i fillojmë negociatat aderuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet bënë progres të konsiderueshëm”, pohoi kancelarja gjermane Angela Merkel.

Duam të korrigjohet gabimi nga viti i kaluar dhe Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat aderuese, tha ambasadorja e Kroacisë, Nives Tiganj, duke i prezantuar prioritetet dhe programin e Kroacisë gjatë kryesisë së saj me Këshillin e BE-së para deputetëve të Komisionit për çështje evropiane. Ajo paralajmëroi se gjatë 6 muajve të ardhshëm do të bëjë ç’mos që vendi të bëhet anëtare e BE-së.

“Si anëtare më e re, Kroacia nuk e ka harruar procesin e integrimit. Kroacia është e gatshme që ta përcjellë përvojën dhe diturinë e saj nga negociatat e vendeve në Evropë juglindore. Prandaj, kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut, pozita jonë është e qartë, ne duam që gabimi nga tetori i vitit të kaluar të përmirësohet në periudhën që vijon dhe t’i hapni negociatat me BE”, theksoi Nives Tiganj, ambasadore e Kroacisë.

Sipas euro-ambasadorit Samuel Zhbogar, ka tre shtylla kryesore për hapjen e negociatave të vendit tonë me BE-në. Njëra është ligji për PP i cili duhet të miratohet para shpërbërjes së Kuvendit.

“Shpresoj se Kuvendi do t’i miratojë ligjet kyçe para shpërbërjes në shkurt. Do të jetë mirë që të lëvizin gjërat  në lidhje me ligjet për PP dhe Kodin zgjedhor dhe shpresojmë se dialogu Zhan Mone do të kontribuojë për përmirësimin e rregullores së Kuvendit. Presim zgjedhje të qeta dhe të drejta por duhet theksuar se edhe fushata zgjedhore ka filluar që në shtator të vitit të kaluar”, deklaroi euro-ambasadori Samuel Zhbogar.

Zv/kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani tha se viti 2020 është vit i RMV-së dhe se është i bindur se vendi do t’i fillojë negociatat me BE. Antonijo Milloshoski në fjalimin e tij përmes telefonit tha se përhapet optimizëm i rrejshëm për hapjen e negociatave. Në seancën e Komisionit për çështje evropiane ku tema ishte programi i Kroacisë gjatë kryesisë së saj me Këshillin e BE-së, përveç deputetëve morën pjesë edhe shumë ambasadorë të vendeve  anëtare të BE-së./21Media

Back to top button