Pas marrëveshjes për Brexit-in

Pas marrëveshjes për Brexit-in

Në konferencën e përbashkët për gazetarë me presidentin francez Emmanuel Macron, shefja e ekzekutivit gjerman Angela Merkel e bëri të qartë se kjo temë do t’i kushtojë kohë dhe energji Bashkimit Evropian, ndaj shpreson shumë që të ruhet uniteti.

“Vendimi formal për vazhdimin e bisedimeve të Brexit përbën një hap përpara, megjithatë tani nis pjesa më e vështirë e punës. Vendet anëtare kanë bashkëpunuar mjaft mirë dhe shpresoj që ky unitet të ruhet edhe në të ardhmen, por nuk kam asnjë iluzion se sapo të dalin në pah interesat kombëtare ekonomike në raport me Britaninë e Madhe, ky unitet mund të vihet në rrezik”, tha Merkel, shkruan rtv21.tv

Diplomatët e Bashkimit Evropian paralajmëruan që përpara takimit se ky është “samiti i fundit i lehtë” lidhur me shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker gjithashtu ka lënë të nënkuptohet se bisedimet e ndërlikuara të divorcit me Londrën do të jenë “shumë më të vështira”.

Gjatë vitit 2018, Brexit pritet të ofrojë shumë më tepër material konflikti sesa deri më sot./21Media