Merkel: Refugjatët duhet të zhvendosen në mjediset rurale

Merkel  theksoi se shumica e refugjatëve dëshirojnë të jetojnë në qytetet

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se refugjatët të cilët dëshirojnë të qëndrojnë në Gjermani, duhet të pranojnë të jetojnë në rajonet më rrallë të banuara, në vend se në qytetet e mëdha dhe të jenë më të hapur për pranimin e kulturës gjermane, lajmëroi DPA.

“Presim që ata që vijnë këtu, t’i respektojnë ligjet dhe të tregojnë pak më shumë interes për mënyrën tonë të jetesës”, porositi Merkel.

Ajo theksoi se shumica e refugjatëve dëshirojnë të jetojnë në qytetet, ku shpesh është vështirë të gjejnë akomodim dhe të sigurojnë kushte për jetesë.

“Prandaj këshilla ime është që të qëndrojnë në rajonet rurale, që në shikim të parë ndoshta janë më pak tërheqëse, por në ato mjedise njerëzit do të mund më lehtë të kujdesen për interesat e refugjatëve dhe t’i integrojnë”, theksoi Merkel.

Sipas kancelares gjermane, refugjatët gjithashtu do të duhet t’i pranojnë vlerat themelore të Gjermanisë, siç janë toleranca, sinqeriteti, liria fetare dhe liria e shprehjes.

Nga viti 2015 në Gjermani kanë arritur mbi një milionë refugjatë dhe migrantë, që kanë krijuar presion të madh politik dhe social për integrimin e tyre në shoqërinë gjermane.

Back to top button