Takohet me kryeministrin Conte, diskutojnë për emigrantët

Takohet me kryeministrin Conte, diskutojnë për emigrantët

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministri italian, Giuseppe Conte, kërkuan bashkëpunim më të ngushtë në çështjen e shpërndarjes së emigrantëve. Krerët e qeverive u takuan për herë të parë sot në Romë.

“Evropa ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete për migrantët e shpëtuar në deti”, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës në Romë. Pas takimit me kryeministrin italian Conte ajo tha se disa vende kanë bërë hapin e parë në takimin e fundit në Maltë, që të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme dhe jo vetëm “zgjidhje ad-hoc”. “Por ka mbetur edhe shumë për t’u bërë, deri në arritjen e zgjidhjes definitive për shpërndarjen e migrantëve dhe refugjatëve në mbarë Evropën. Kërkohet më shumë vullnet tek vendet anëtare, për pjesëmarrje në këtë shpërndarje”, tha Merkel.

“Qëllimi përfundimtar është që vendet e Bashkimit Evropian të punojnë së bashku”, deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte. Gjermania po angazhohet shumë dhe ajo e ka mbështetur shumë Italinë në këtë drejtim, theksoi Conte, i cili e falënderoi Gjermaninë për këtë mbështetje. Në shtator të këtij viti, ministri i Brendshëm Horst Seehofer deklaroi në Malta se Gjermania dhe Franca duhet të respektojnë marrëveshjet për marrjen e njerëzve të shpëtuar nga anijet. Por kjo nuk ka ndodhur gjithmonë. Ndaj anijet me migrantë me ditë të tëra detyrohen të presin për hyrje në portet bregdetare.

Si një strategji afatgjatë ai theksoi nevojën e luftimit të shkaqeve për ikjen e refugjatëve dhe migrantëve nga vendet e tyre. Për këtë kërkohet stabilitet politik dhe ekonomik në Libi dhe vendet tjera afrikane. Conte do të marrë pjesë në një konferencë që do të organizohet javën që vjen në Berlin, me përfaqësues të vendeve afrikane. Qëllimi është ndër tjera të vendosja e paqes së plotë dhe stabilizimi i Libisë./21Media