Mësimi online do të fillojë sot nga ora 11:15

Mësimi online do të fillojë sot nga ora 11:15

Drejtori i shkollës Model “Qamil Batalli”, Liridon Maliqi sot tregoi se si do të rrjedhë procesi mësimor online. Ai tha se janë pesë klasa me televizorë dhe infrastrukturë përcjellëse, e cila është e nevojshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Maliqi në “Për ditë të mbarë” potencoi se në këtë projekt është duke punuar një numër i madh i njerëzve, se projekti ka filluar mirë dhe sipas tij, është duke vazhduar edhe më mirë, pasiqë në sistem kanë hyrë shumica e gjërave që janë planifikuar në fillim, shkruan rtv21.tv

Sa i përket platformave online, Maliqi tha se janë duke u bërë dy të tilla, njëra në webfaqen e MASHTI-t dhe tjetra emesimi.rks.gov.net. Përveç këtyre, ai shtoi se njësitë mësimore do të plasohen edhe në Radiotelevizionin e Kosovës, në RTK1 dhe RTK4. Në RTK1 ai tha se nga ora 11:15 do të fillojnë të plasohen njësitë mësimore, ndërsa në RTK4 do të jetë repriza e tyre.

Për shkak të situatës me koronavirus, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) prej sot fillon së zbatuari procesin mësimor online për klasën e 1-rë deri në të 5-të, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë prodhimi i materialit për klasën e 6-të deri në të 9-ën, dhe më vonë edhe për gjimnaze dhe shkolla profesionale./21Media