Mirëpritet nga prindërit dhe nxënësit

Mirëpritet nga prindërit dhe nxënësit

Këtyre ditëve kur në gjithë vendet e botës njerëzit po izolohen në shtëpi për shkak të përhapjes së koronavirusit, është ndërprerë edhe mësimi në shkolla.

Por, nxënësit e klasës së dytë të shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Gadime po mbajnë mësime online nga shtëpia.

E gjithë kjo falë vullnetit të mësueses së tyre, Arlinda Jashanica, e cila për portalin rtv21.tv tregoi për këtë projekt.

“Është iniciativë e imja personale shkaku që mos me mbet nxënësit mbrapa kështu që vet nuk është diçka prej ministrisë as drejtorisë komunale”, tha Jashanica

Mësuesja njoftoi se mësimi ka filluar të hënën, ku atë ditë është bërë përsëritje, ndërsa tani është duke zhvilluar planin e rregullt mësimor. “Tash po e zbatoj planin tim qysh e kam pasur”., bëri të ditur ajo.

Jashanica tha se deri tani është mësuesja e vetme që e aplikon një gjë të tillë në shkollën ku jep mësim.

“Unë kam 26 nxënës dhe po arrij me i përfshi të gjithë por disa prind kanë vështirësi me u lidh shkaku i internetit por me ta po lidhem me viber edhe po i kanë vetëm audio dhe detyrat pastaj po ua dërgoj përmes formave tjera online.”, tha Jashanica.

Mësuesja,  Arlinda Jashanica rrëfeu se nxënësit e kanë pritur mirë këtë formë të mësimit.

“Për nxënësit është risi se në shkollat publike sidomos në fshatra nuk është se kanë shumë qasje me projektor ose diçka teknologji E tash shumë interesant po ju vjen prej shtëpisë edhe po munden me biseduar me shokë e shoqet e klasës, për nxënës shumë e mirë.

Mësimin online e kanë mirëpritur edhe prindërit. Nëna e një nxënësi të kësaj klase , Merita Abdullahu- Tasholli, për portalin rtv21.tv tha se kjo gjë po i mban fëmijët të zënë me aktivitete duke mos ju dhënë hapësirë që të krijojnë panik rreth koronavirusit.

 “Çka më ka pëlqy më së shumti është se  fëmijët tash janë fokusu në  temën e koronavirusit  bëjnë pyetje shumë edhe frikohen normal, nuk po kanë ku me dalë vetëm në oborr  e kjo ua ka hjek pak frikën se nuk po kanë kohë me u marrë me këtë send.”, tha Abdullahu- Tasholli.

Ajo uroi që një praktikë e tillë të realizohet në të gjithë vendin pasi që sipas saj kjo është në të mirë të fëmijëve.

Ministria e Arsimit e Kosovës ka paralajmëruar  që gjatë kësaj periudhe do të ofrojë një platforme online, e cila do të jetë në dispozicion për të gjithë nxënësit e institucioneve publike dhe atyre private, pa dallim./21Media

Gepostet von Merita Abdullahu-Tasholli am Mittwoch, 18. März 2020