Meta: 1 milion shuplaka kundër oligarkisë

Meta u bëri thirrje shqiptarëve të mos largohen nga vendlindja

Lëvizja Socialiste për Integrim hapi sot fushatën elektorale në Lushnje, nga ku ish-kryetari i saj, Ilir Meta tha se më 25 qershor 1 milion vota do të jenë në kuti për LSI-në, për t’i dhënë vendit një drejtim të ri.

Meta duke ftuar qytetarët të votojnë LSI-në si forcë të parë, tha se duhet t’i japin fund kartelit të kanabisit e krimit që kërkon të trembë njerëzit që janë në punë të shtetit, për të mbajtur karriget e koncesioneve.

“I bëj thirrje të rinjve të mos ju shkoj mendja të largoheni nga vendi më i bukur në botë, por jo vetëm të ri-konfirmojnë vendosmërinë e tyre për LSI, dhe të ftojnë të afërm e miq të tyre për të bërë një milion shuplaka kundër oligarkisë”, tha Meta, duke shtuar se 1 milion vota nuk do të jenë vetëm nga rinia e Shqipërisë, por edhe nga socialistë e demokratë.

Ish -kreu i LSI-së tha se nuk mund të bëjnë shtet ata që janë përgjegjës që e çuan Shqipërinë në vendin e dytë në botë për drogën, që mbushën parlamentin e bashkitë me njerëz me rekorde kriminale, ata që forcën e tregojnë te dhuna ndaj të varfërve e të pamundurve e ndërkohë që u janë nënshtruar interesave të disa oligarkëve të pashpirt.

“Nuk mund të fajësojnë LSI-në për këtë mbështetje skandaloze të bujqësisë. Këta e kishin drejtimin e qeverisë dhe i caktuan subvencione bujqësisë sa 1/5 e Kosovës dhe sa 1/15 e Maqedonisë. Fondet u përdorën për palmat më të shtrenjta në botë e që janë tharë. Nuk i sollën në Myzeqe, por bënë kullat më të shëmtuara që kanë shkatërruar Korçën e shumë qytete tonat. Ata kanë hallin e tepsisë”, deklaroi Meta.

Back to top button