Gjatë takimit me presidenten e Kroacisë

Gjatë takimit me presidenten e Kroacisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, zhvilloi sot një takim me Presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, në Zagreb, ku theksuan domosdoshmërinë e vijimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fortë që Presidentja Grabar-Kitaroviç dhe Kroacia i kanë dhënë Shqipërisë veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Sipas një komunikate të Presidencës, duke iu referuar lidhjeve të forta historike dhe marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe vizionit të përbashkët euroatlantik, Meta theksoi se, ka ardhur koha që këto marrëdhënie të ngrihen në nivelin e Partneritetit Strategjik.

Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin dhe kontributin e komunitetit shqiptar, që jeton në Kroaci si urë lidhëse në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.

“Të dy Presidentët ranë dakord që, në kuadrin e vitit të Skënderbeut, të zhvillojnë një vizitë të përbashkët tek komuniteti 300-vjeçar i Arbanasve të Zarës. Të dy Presidentët theksuan domosdoshmërinë e vijimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vlerësuan rolin shumë të rëndësishëm që mund të luajë në këtë drejtim Procesi i Brdo-Brijunit. Presidenti Meta shprehu besimin në mbështetjen e Kroacisë për çeljen së shpejti të negociatave të anëtarësimit në BE, mbështetje shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe inkurajuese për vijimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme. Është jetike për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor një agjendë gjithëpërfshirëse dhe afate konkrete anëtarësimi në BE”, nënvizoi Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Meta dhe Kitaroviç ranë dakord që vizita shtetërore e Presidentes kroate në Shqipëri të zhvillohet në muajt në vijim.