Meta mbledh Këshillin e Sigurisë për tërmetin, nxit prokurorinë të hetojë përgjegjësit

Pas tërmetit vdekjeprurës në Shqipëri

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta mblodhi sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën e post-tërmetit në Shqipëri. Mbledhja zgjati përreth 1 orë dhe u mbajt në Presidencë.

Në të morën pjesë kryeministri, Edi Rama me Ministra të kabinetit dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Pjesë e tryezës nuk ishte Lulzim Basha. Burime nga Presidenca bëjnë me dije se nuk ka patur ftesë për kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Në një postim në “Facebook” pas takimit, Meta thotë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuan për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë.

Meta thekson se mbështetën prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës për situatën e krijuar më ndërtesat pas tërmetit.

Gjithashtu në mbledhje sipas Metës u diskutua edhe për sigurimin e burimeve të brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm.

Numri i viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit ka shkuar në 52, ndërsa mbi 900 mbetën të plagosur dhe shumë të pastrehë.

Back to top button