Me kushtetutë në dorë Meta doli në konferencë për të përforcuar qëndrimin se nuk e ka shkelur atë

Me kushtetutë në dorë Meta doli në konferencë për të përforcuar qëndrimin se nuk e ka shkelur atë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se ai do ta sakrifikojë postin e presidentit, nëse kjo do t’i shërbente zgjidhjes së krizës politike.

Këto komente Meta i bëri në konferencën për media të cilën e ftoi pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve që të enjten të debatohet për shkarkimin e tij.

“Unë nuk e kuptoj pse duan të më shkarkojnë. Unë jam vetëofruar siç e dini edhe ju për ta lënë këtë detyrë dhe gjithmonë i gatshëm që kjo sakrificë të bëhet në zgjidhje të kësaj krize dhe të garancive që gjithçka do të funksionojë normalisht. Tani u intereson zgjidhja e krizës, apo largimi i presidentit. Po qe se ju intereson largimi i presidentit kjo është shumë e lehtë hajt të zgjidhim krizën dhe ikën presidenti. Nuk ka asnjë problem”, tha Meta. .

Ai tha se vendimin për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve e ka bërë me përgjegjshmëri të plotë, për të eliminuar një konflikt civil.  Sipas tij, palët kanë bërë një sjellje histerike, duke e shpallur 30 qershorin si ditën për një betejë jeta e vdekje.

Presidenti deklaroi se nuk ka tentuar të komunikojë me kryeministrin Edi Rama para se të jepte vendimin për anulimin e zgjedhjeve vendore.

“Nuk kam bërë ndonjë tentativë për të komunikuar me zotin Rama, për arsye se ai më ka nderuar duke vizituar vendin tim të origjinës, Skraparin dhe ka qenë edhe në Berat për të marrë pjesë në mitingun që do zhvillohej në kohë të opozitës në Tiranë. Kam bërë një përpjekje për të komunikuar zotin Ruci si kryetar Kuvendi, por ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës. Kjo është arsyeja pse Rama nuk ka qenë i surprizuar. Unë mbeta i surprizuar nga reagimi i tij pas këtij vendimi. Megjithatë, ka kohë të reflektojë”, tha presidenti./21Media