"Nuk mu duk në rregull, të mos keqpërdorë më ndërkombëtarët"

“Nuk mu duk në rregull, të mos keqpërdorë më ndërkombëtarët”

Presidenti, Ilir Meta, teksa komentoi mbi deklaratat e shefit të qeverisë, Edi Ramën sot në Kuvend, pati një porosi të qartë për të: Të mos fshihet më pas ndërkombëtarëve për Gjykatën Kushtetuese.

Rama, tha Meta, mund të vazhdojë të përdorë ndonjë diplomat apo ekspert si ata që firmosën zgjedhjen në mënyrë antikushtetuese të Arta Markut si Prokurore të Përgjithshme.
Meta tha se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është bërë me ShBA, BE dhe Komisionin e Venecias dhe është shumë e qartë aq më tepër për krijimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për këto lojëra mafioze, paralajmëroi ai, do të ketë hetim dhe ndëshkim ndërkombëtar.

Ilir Meta: Sa i takon atyre përrallave që thotë dikush, dëgjova seç fliste njëri sot në parlament, nuk mu duk në rregull, që i kanë bërë këto lojëra me ekspertë amerikanë dhe europianë, i them të mos i keqpërdorë më. SHBA, ndonjë diplomat apo ekspert si ata që firmosën për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme në mënyrë antikushtetuese me 69 vota, ta përdorë sa të dojë. Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e kemi bërë me SHBA, BE dhe me Komisionin e Venecias.

E kemi bërë tepër të qartë, aq më tepër për këtë çështje. Përndryshe do të ketë hetim ndërkombëtar dhe ndëshkim ndërkombëtar për këtë çështje. Sepse ka dy vjet që është sabotuar qëllimisht funksionimi i KED 2017-2018 për të ardhur këtu ky person i besuar i partisë të bëjë të gjithë këto veprime dhe manipulime kaq të qarta që do të sqarohen dhe më tej në ditët e ardhshme.