Meta: Puna dhe solidariteti juaj nuk ka për t’u harruar kurrë

Meta dekoron njësitet e kërkim-shpëtimit të Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka falënderuar të gjithë njësitet e kërkim shpëtimit të Kosovës dhe qytetarët për kontributin dhe mbështetjen e tyre pas pasojave që shkaktoi tërmeti. Meta poashtu falënderoi dhe presidentin, kryeministrin në largim dhe të gjithë liderët e partive politike.

Në fjalën e tij në ceremoninë e dekorimit të njësive të kërkim-shpëtimit, Meta tha se edhe ky 28 nëntor i gjeti të përbashkuar shqiptarët si asnjëherë tjetër në histori, shkruan rtv21.tv

Do të dëshironim ta festonim 28 nëntorin me të gjithë madhështinë që meriton kjo ditë e bekuar për mbarë kombin tonë në botë, këtë ditë që ja kemi borxh Ismail Qemajlit dhe Isa Boletinit, do të donim ta festonim si gjithmonë bashkë në Vlorë, Tiranë, Prishtine, Prizren, Shkup e New York.Me një bilanc të rënd, Shqipëria nuk mbeti vetëm. Shumë vende mike e partnerë bënë më të mirën e mundur për të na u gjetur pranë, por Kosova ishte e para që u ndodh atje për të shpëtuar jetën e qytetareve. Ekipet nuk ndodheshin atje vetëm fizikisht, por vëllazërish dhe emocionalisht”, tha Meta.

I emocionuar para të gjithë të pranishmëve, Meta theksoi se populli shqiptarë do t’u është gjithmonë mirënjohës vëllezërve dhe motrave nga Kosova.

Jam i sigurt që çdo vend i NATO-s do të ishte i kënaqur më atë çka ju keni bërë ditë e natë, duke shpëtuar jetë. U jemi thellësisht mirënjohës që na u gjendet pranë, shpëtuat shumë jetë. Me këtë kurajo të pashembullt na dhatë forcë të gjithë neve”, theksoi presidenti.

Para se të ndajë dekoratat për njësit e kërkim-shpëtimit, Meta falënderoi edhe njëherë të gjithë qytetarët që ndihmuan me aq sa patën mundësi të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kosova ka një zemër bujare, edhe njerëzit më të thjeshtë, shprehen gatishmërinë t’u dali në krahë vëllezërve dhe motrave shqiptare, duke ndarë edhe varfërinë e tyre. Puna dhe solidariteti juaj nuk ka për t’u harruar kurrë. Është e vërtet që tërmeti tundi fort si asnjëherë më parë themelet e mijëra ndërtesave në Shqipëri, madje i rrezoi shumë keq, por është kaq i vërtetë sa ai provoi se themelet e solidaritetit tonë mbarë kombëtarë e mbarë shqiptarë janë më të forta se kurrë”, tha Meta.

Në shenjë falënderimit, presidenti i Shqipërisë dekoroi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, task forcën e FSK-së.

Njësinë Speciale Operative të Policisë se Kosovës, Meta e dekoroi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Njësitin e gjetjes së shpëtimit të Minierës së Trepçës, Meta e dekoroi me titullin për “Meritat e Veçanta Civile”.

Ndërsa njësitit të gjetjes së shpëtimit të Minierës se Artanës, Meta ia ndau dekoratën me titullin për “Meritat e Veçanta Civile”.

Ekipit të zjarrfikësve të KEK-ut, presidenti i Shqipërisë i ndau titullin për “Meritat e Veçanta Civile”.

Presidenti dekoroi njësitin K9 të FSK-së me titullin për “Meritat e Veçanta Civile”. Përkrah ushtarit, në skenë për ta marr dekoratën doli qeni hero që shpëtoi jetë të njerëzve që ishin të ngujuar në rrënojat e ndërtesave. Presidenti Meta pas ndarjes së dekoratës e puthi qenin hero.

Në fund, kryeministri në largim Ramush Haradinaj e dekoroi me titullin “Gjergj Kastrioit Skernderbeu”, presidentin Ilir Meta me motivacion forcimin e bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri./21Media

Back to top button