Protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, reagon Meta

Protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, reagon Meta

Presidenti i Shqipërisë, u ka bërë thirrje policisë që të mos sillen keq me artistët të cilët po protestojnë për të kundërshtuar shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare.”, ka shkruar Meta në Facebook.

Ai e ka quajtur turpëruese, sjelljen e policisë ndaj regjisorit të njohur Edmond Budinës.

“As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90!
Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”, ka përfunduar Meta.

Para pak minutash regjisori Edmond Budina ka treguar për mediat se është tërhequr zvarrë nga policia, ndërsa ai së bashku me 4 persona të tjerë po qëndronin tek hyrja e Teatrit Kombëtar si rezistencë për të ndalur shembjen e tij./21Media