Meta: S’kemi kohë për arrogancë dhe ultimatume

“Detyrimi ynë madhor është të investojmë te edukimi i rinisë”

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në Konventën Kombëtare të LRI-së, deklaroi se e ardhmja e vendit nuk mund të merret peng nga askush që mendon më shumë për karrigen dhe pushtetin.

“Nuk kemi asnjë minutë për të humbur me arrogancën e njërës palë dhe ultimatumet e palës tjetër për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk na dhimbsen as karriket tona për t’i dhënë një zgjidhje politike Shqipërisë e shqiptarëve e për të mos u bërë turpi i Evropës në vitin 2017”, tha Meta.

Kryeparlamentari kritikoi edhe reformën në arsim, duke thënë se “ekonominë e dijes nuk mund ta realizojmë nëse vrasim ëndrrën qoftë edhe të një maturanti”.

“Detyrimi ynë madhor është të investojmë te edukimi i rinisë, pasi vetëm kështu Shqipëria do të jetë e sigurtë në lidershipin tuaj”, tha Meta.

Më tej, bashkëkryetari i koalicionit të majtë qeverisës rriti tonet kritike ndaj Ramës kur tha se “kërkojmë një Shqipëri pa drogë dhe një Parlament që të përfaqësojë qytetarët dhe jo krimin e organizuar dhe lobet që po atrofizojnë ekonominë e vendit me monopole, koncencione dhe klanet e kapura”.

“Nuk duam bizesmenë që vijnë për tenderë dhe për t’i vënë gjoba Qeverisë dhe Parlamentit”, tha Meta duke iu referuar faktit se pothuajse të gjithë biznesmenët deputetë janë sjellë në Parlament nga Partia Socialiste.

Meta u shpreh optimist se situata do të ndryshojë, kur tha se është forca e të rinjve që nuk do të lejojë askënd të marrë peng demokracinë dhe zgjedhjet e lira në këtë vend. “Demokracia nuk është e nuk mund të jetë ‘one man show’, por një shans për të gjithë”, përfundoi Meta.

Back to top button