Meta takoi Kurtin dhe Mustafën

I pari i Shqipërisë iu uroi suksese VV-së e LDK-së në partneritetin e tyre

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dje ka qëndruar në Prishtinë. Ai gjatë ditës së djeshme është takuar me kreun e VV-së, Albin Kurtin dhe dhe atë të LDK-së Isa Mustafën.

Meta sot përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se i ka falënderuar për ndihmën konkrete që kanë dhënë për t’i mbështetur familjet e prekura në tërmeti.

Ndërsa thotë se i ka uruar sukses të dyve në rrugën e tyre drejt partneritetit qeverisës.

“Dje në Prishtinë falenderova edhe Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosja z.Albin Kurti dhe Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës z.Isa Mustafa për solidaritetin që kanë treguar dhe ndihmën konkrete që kanë dhënë në mbështetjen e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Si fitues të zgjedhjeve parlamentare iu urova suksese në partneritetin e tyre për krijimin e institucioneve të reja qeverisëse. Kosova i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull i mirëqeverisjes në rajonin tonë”, ka shkruar Meta.

Në anën tjetër siç bën të ditur Lëvizja Vetëvendosje, kreu i saj Albin Kurti njoftoi Metën për ecurinë e bisedimeve që po zhvillohen me LDK-në drejt krijimit të koalicionit të ardhshëm qeverisës si dhe prioritetet dhe detyrat që presin qeverinë në ardhje.

Sipas VV-së presidenti i Shqipërisë theksoi nevojën e krijimit të qeverisë dhe institucioneve të reja sa më shpejtë.

Ndërsa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë publikuar asgjë rreth këtij takimi.

Presidenti Meta dje dekoroi FSK-në dhe Policinë e Kosovës të cilat ndihmoi Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit./21Media

Back to top button