Me 58 vota pro, 3 abstenime, Zeka u emërua zëvendëskryetar i Komisionit

Me 58 vota pro, 3 abstenime, Zeka u emërua zëvendëskryetar i Komisionit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë zgjedhur Milaim Zekën zëvendëskryetar të komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.

Në seancën e kaluar Kuvendi i kishte zgjatur mandatin për edhe 5 muaj këtij komisioni ku ishte paraparë që të propozohet edhe emri i zëvendëskryetarit të këtij komisioni nga deputeti Milaim Zeka. Por meqenëse ai nuk ishte prezent në sallë, deputetët votuan vetëm për zgjatjen e mandatit të këtij komisioni.

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu kishte kërkuar që edhe kryetari edhe nënkryetari nga opozita dhe ka propozuar që të votohet emri i Liburn Aliut.

Por, në seancën e sotme, Zeka ka propozuar veten si zëvendëskryetar të këtij komisioni.

“Me qenë se opozitës i takon kryetari, unë e kam propozim për nënkryetarin pasi që ka qenë iniciativa e NISMA-s dhe e imja personalisht unë propozoj që Milaim Zeka të jetë nënkryetar. Unë e propozoj veten nënkryetar”, ka thënë Zeka.

Me 58 vota për 3 abstenime, Kuvendi e emëroi Zekën zëvendëskryetar të komisionit./kallxo.com