Ndeshja mes Milanit dhe Ferronikelit zhvillohet sonte

Ndeshja mes Milanit dhe Ferronikelit zhvillohet sonte

Skuadra e Milanit ka mbajtur konferencën para ndeshjes së sotme ndaj Feronikelit. Në konferencë për shtyp për skuadrën rosonore janë paraqitur Franco Baresi dhe Daniele Massaro.

Organizatori Agron Selimi fillimisht falënderoi skuadrën e Milanit që pranoi të vijë në Kosovë.

“Në emër të As Events dëshiroj që t’i falënderoj Ac Milanin, që kanë zgjedhur Kosovën si shtet për me ardhur për me bë një lojë miqësore, ku është edhe ekipi i parë, një prej ekipeve më të mëdha në botë që ateron në Kosovë”, tha Selimi.

Legjenda e Milanit, Franco Baresi tha se Milani me kënaqësi e ka pranuar këtë ftesë dhe shpreson që ta shijojnë këtë udhëtim në Kosovë.

“Pritje në Kosovë ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Ne e dimë të kaluarën e këtij vendi dhe e dimë se sa ka rëndësi ardhja e Milanit në Kosovë. Ne e kemi pranuar me shumë kënaqësi ftesën. Kemi ardhur mjaft mirë dhe kështu do ta vlerësojmë edhe nivelin e futbollit në këtë vend, besoj që ka me qenë shumë pozitive për të ardhmen e këtij vendi. Është e vërtetë, është hera e parë për ne këtu por të gjithë e kanë marrë me seriozitet këtë lojë. Besoj që formacioni ka me qenë ai i cili trajneri mendon se është më i miri”, tha Baresi.

Daniele Massaro tha se Milani gjithmonë ka qenë e mirëpritur nga fansat anembanë botës, por gjithashtu tha se është befasuar nga tifozët e Kosovës.

“Edhe unë jam shumë i lumtur për këtë lojë, e cila është vazhdimësi e lojërave që bëjmë para se të fillojë kampionati. Na ka befasuar shumë dashura të cilën e kanë shprehur tifozët. Ne deri vonë kemi qenë një ndër skuadrat me më së shumti tifozë në botë, dhe po tentojmë që të rikthemi në të njëjtin nivel. Ky është një fillim i mirë. Besoj që në të ardhmen do të jemi të ftuar edhe nga skuadrat tjera. Ne pas lojës do t’i kthehemi jetës tonë dhe vazhdojmë me stërvitje. Ne besojmë që ky është një fillim i mirë dhe do të instalojmë një raport miqësie të cilin do ta kultivojmë edhe në të ardhmen”, tha ai.

Massaro ka folur edhe rreth merkatos së skuadrës rosonere duke thënë se Milan gjithmonë kujdeset të sjellë një top lojtar.

Ndeshja mes Milanit dhe Feronikelit zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.