Premtohet investim në sport

Premtohet investim në sport

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar sot një takim me përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe federatat sportive të cilat zhvillojnë aktivitete sportive në vendin tonë.

Takimi ka për qëllim prezantimin e standardeve dhe procedurave të financimit të organizatave sportive nga ana e MKRS-së.

Sipas një komunikate të MKRS-së, në takim u prezantuan edhe raporti përshkrues i projektit/programit lidhur me zhvillimin e politikave programore në sport, si dhe dokumentet e reja përcjellëse të cilat federatat duhet t’i plotësojnë për mënyrën e re të financimit të tyre.

Me theks, përfaqësuesit e organizatave sportive u udhëzuan se si duhet plotësuar raportet vjetore për blerjet mbi 500 euro.

Ministri Kujtim Gashi, i cili mori pjesë në hapjen e takimit u shpreh se këtë organizim e konsideron si ngjarje të rëndësisë së veçantë për sportin dhe të arriturat sportive në Republikën e Kosovës.

“Të arriturat dhe sukseset që po i arrijnë sportistët tanë dita-ditës, na bëjnë që të ndihemi krenar të gjithëve, andaj edhe vlerësimi dhe shpërblimi për të dalluarit (laureatët) ka kuptim të veçantë”, ka vlerësuar ministri Gashi, i cili ka theksuar se si ministër dhe si MKRS do të angazhohen maksimalisht në mbështetje të sportit në përgjithësi.

Ministri Gashi ka folur edhe për rritjen e buxhetit në sport dhe investimet kapitale, ku MKRS për vitin 2018 ka paraparë shumë investime.

“Janë dhjetëra miliona investime kapitale të planifikuara për këtë vit vetëm në fushën e sportit, për të cilat jam i bindur se do të ndikojnë dukshëm jo vetëm në përmirësimin e kushteve për sportistët e vendit tonë”, ka thënë për fund ministri, duke u zotuar se mbështetja financiare e institucionale për sportin nuk do të mungojë.