“Miliona për Cent” shpërfaq defektet në prokurimin publik

Sipas Gjonit, veprimet institucionale nuk kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me praktikat e mira të prokurimit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin “Miliona për Cent”, i cili shpërfaq gjetjet nga monitorimi i procesit të prokurimit në Agjencinë Qendrore të Prokurimit (AQP) lidhur me kontratën për furnizim me karburante për nivelin lokal të ndërmarrë nga AQP.

Blerim Gjoni nga KDI, duke prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti ka theksuar se përmes tij janë trajtuar disa nga problemet aktuale të këtij sektori dhe janë ofruar rekomandime konkrete për parandalimin e humbjes së parasë publike si dhe rritjen e llogaridhënies në prokurim publik.

Gjoni ka thënë se bazuar në monitorimin e kontratës në fjalë del se veprimet institucionale nuk kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me praktikat e mira të prokurimit, siç janë mangësitë në planifikim të aktivitetit të prokurimit, kritere diskriminuese në tenderim, vonesat e shumta deri të nënshkrimi i kontratave si pasojë e ankesave të shumta, dhënia e kontratave me çmime jo normalisht të ulëta dhe monitorimi joefektiv i zbatimit të kontratave.

Ankesat kishin të bënin edhe me dhënien e kontratave me çmime jo normalisht të ulëta. Lidhur me këtë Gjoni ka shtuar se dhënia e kontratave me çmime jo normalisht të ulëta është e rrezikshme për autoritetin kontraktues dhe për interesin publik në përgjithësi.

Agjencia Qendrore e Prokurimit- AQP përpos përzgjedhjes së operatorëve ekonomik kishte edhe rolin e monitoruesit të implementimit të kontratës dhe sipas Gjonit edhe në këtë pikë ka pasur ngecje.

Me qëllim të eliminimit të problemeve nga dhënia e kontratave me çmime jo-normalisht të ulëta, KDI ka rekomanduar që AQP-ja të trajtojë kujdesshëm tenderët jo normalisht të ulët.

KDI ka rekomanduar që më qëllim ngritjes së cilësisë së vendimeve, OSHP-ja të trajtojë kujdesshëm konstatimet e Ekspertit Shqyrtues, provat në dispozicion dhe argumentet e sjella nga palët pjesëmarrëse në procedurë.

Po ashtu, është rekomanduar që edhe KRPP-ja si institucion mbikëqyrës i prokurimit në Kosovë të jetë më pro-aktiv në vëzhgimin e aktiviteteve të prokurimit ku trajtohen tenderët jo normalisht të ulët, si një dukuri mjaft e përhapur, sidomos te kontratat e furnizimit me karburante dhe të ofrojë një opinion të përgjithshëm mbi këtë çështje që do eliminonte mundësitë e përsëritjes së problemeve të ngjashme në të ardhmen.

Back to top button