Mimoza Kusari-Lila e akuzon ministrin Mustafa për shkelje flagrante të ligjit

Kërkohet që vendimi i Minisitri të tërhiqet para fillimit të zbatimit të tij

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar ndaj vendimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafës në lidhje me amnistimin e armëmbajtësve pa leje.

Kusari-Lila këtë vendim e quajti si shkelje flagrante të ligjit/kodit penal të Kosovës por edhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

“Ministri i brendshëm, Mustafa, si i ri në detyrë, duke dashur të plotësojë kërkesen dhe dëshirën e Kryeministrit për të “armatosur” zyrtarisht qytetarët e Republikës, ka nënshkruar një vendim i cili Ministrin nëse me asgjë tjetër e ngarkon me përgjegjësi penale dhe me shkelje të Kushtetutës”, ka reaguar Mimoza Kusari-Lila përmes një postimin në “Facebook”.

Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës në përgjithësi, si dhe as Ministritë në veçanti, nuk mund të pezullojnë nene të ligjit të aplikueshëm në Kosovë. “Ministrat e Qeverisë së Kosovës dhe Qeveria sipas kompetencave kushtetutese mund të marrin vendime dhe të nxjerrin akte juridike ose rregullore të nevojshme për zbatim të ligjeve, por jo për pezullim të tyre”, u shpreh Kusari-Lila.

Deputetja për informatë të opinionit ka publikuar përmbajtjen e nenit 374 i KPK-së: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve:

1. Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni përfshin më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.
3. Arma në pronësi, kontroll apo posedim në shkelje të këtij neni konfiskohet”.

Sipas deputetës ky pezullim është nënshkrim i shkallës së re të kriminalitetit në Kosovë.

“Në vendin më të izoluar në Evropë, me shkallën më të lartë të papunësisë dhe trendin e rritjes së korrupsionit, me rini që në masë prej 60% ka të drejtuar sytë nga bota, të ofrohet mundësia e qarkullimit, mbajtjes apo përdorimit të lirë të 260,000 armëve, është nënshkrim i shkallës së re të kriminalitetit në Kosovë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Në të kundërten e këtij vendimi, sipas deputetës së Alternativës, Ministria e punëve të brendshme do të duhej të rrisë masat e kontrollit të armëmbajtjeve pa leje, të konfiskojë ato, të rrisë masat e sigurisë në mjediset publike, të bashkëpunojë me autoritetet lokale për rritjen e numrit të kamerave në mjedise publike, të komunikojë dhe ngrisë vetëdijen për rrezikun nga përdorimi i armëve, jo të inkurajojë përdorimin dhe shfaqjen publike të tyre.

Ajo theksoi se vendimi i Minisitrit Mustafa duhet menjëherë të tërhiqet para fillimit të zbatimit të tij, pasi që ky vendim sipas saj shkakton precedan të rrezikshëm për amnisti tjera apo mos amnisti sipas preferencave politike. “Ky vendim shkel mbi çdo element të ligjshmërisë së Kosovës dhe paraqet rrezik permanent për sigurinë në vend. Në rast të mos tërheqjes së vendimit, Alternativa do të ndjekë rrugët ligjore për sanksionimin e kësaj vepre”, ka shkruar Mimoza Kusari-Lila./21Media

Back to top button