Minatorët e ‘Trepçës’ bojkotojnë punën pas vonesës së pagave

“Ndërmarrja më herët ka qenë në krizë  edhe më të madhe financiare, por pagat nuk janë vonuar”

Punëtorët e Ndërmarrjes “Trepça”, e cila para një jave është regjistruar si Shoqëri Aksionare, nuk kanë marrë ende pagat e tyre për muajin shkurt.

Në shenjë revolte për shkak që ende nuk i kanë marr pagat  tyre, punëtorët e  “Trepçës” sot kanë bojkotuar punën duke u kthyer në shtëpitë e tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar me anëtarin e Sindikatës së Minatorëve, Isuf Peci, i cili ka thënë se Sindikata përkrahë punëtorët të cilët kanë bojkotuar punën e tyre.

“Punëtorët kanë vendosur, ne Sindikata e Minatorëve i përkrahim, pasi që  ata kanë të drejtë plotësisht sepse nuk është e drejtë të luhet me djersën e punëtorëve”, ka thënë Peci.

Ai ka shtuar se drejtori i Ndërmarrjes “Trepça”, dhe menaxheri i saj,  janë duke shkatërruar dhe po shkojnë në drejtim të mbylljes së ndërmarrjes.

“Këta janë për shkatërrimin dhe mbylljen e “Trepçës”. Sa për paga, kurrë nuk ka ndodhur kjo, punëtorët janë kthyer në shtëpi për shkak të pagave, pagat e muajit shkurt nuk i kanë marrë ende, ndërsa tani jemi në muajin mars”, ka shtuar Peci.

Ai ka thënë se ndërmarrja më herët ka qenë në krizë  edhe më të madhe financiare, por pagat nuk janë vonuar.

“Na është premtuar se deri sot në orën 16:00, pagat do të dalin. Sot asnjë punëtor nuk ka hyrë në minierë, përveç atyre që janë në vendet kryqe. Po presim”, ka përfunduar Peci.

Ndërsa, sipas menaxherit të ndërmarrjes, Xhevet Tahiri, pagesa për pagat e fundit për punëtorët ka ndodhur pasi që “Trepça”,  me 8 mars është regjistruar si Shoqëri Aksionare.

“Trepça” ka kaluar dhe është regjistruar si Shoqëri Aksionare, janë disa procedura, për ndërrimin e dokumentacionit, po presim buxhetin e Kosovës i cili është miratuar, ato mjete kanë shkuar në  Ministrin e Zhvillimit Ekonomi, po presim që pagat të dalin sot deri në orën 16:00, eventualisht deri nesër”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka folur edhe rreth bojkotimit të punës nga ana e punëtorëve, për të cilët ka thënë se kjo është e drejtë e tyre.

“E kanë bojkotuar,  ju kanë folur drejtorët por është vendim i tyre, ju kam thënë t`i kthehen punës, edhe unë si menaxher jam në presion edhe punëtorët kanë të drejtë të revoltohen por po presim”, ka thënë Tahiri.

Ndërmarrja “Trepça” është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare (ARBK) si Shoqëri Aksionare me 8 mars./Kallxo.com

Back to top button