Minchev: Kosova shtet normal si shtetet tjera

Minchev: Kosova shtet normal si shtetet tjera

Drejtori gjeneral i agjencisë shtetërore të Bullgarisë(BTA) Maxim Minchev ka thënë se Kosova ka ndryshuar shumë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Gjatë një vizite në Kosovë drejtori i BTA ka lavdëruar kryeqytetin e Kosovës duke e krahasuar me qytetet e mëdha evropiane.

Ai kishte vizituar Kosovën menjëherë pas luftës dhe thotë se dallimi që nga ajo kohë e deri më tani është shumë i madh.

“Prishtina është Evropiane, një qytet i madh dhe i bukur. Pra, e kuptoni dhe nuk mund ta imagjinoni se sa shume ka ndryshuar pasi që ju jetoni këtu dhe nuk mund të vëreni shumë ndryshimin. I përgëzoj të gjithë qytetarët e Kosovës, është një vend shumë i mirë”, ka thënë drejtori i BTA-së.

Minchev ka thënë për Kp se Kosova ka ecur shumë më shpejt sesa Bullgaria pas heqjes së komunizmit në vitin 1989.

“Ju dhe Kosova si shtet, keni ecur përpara shumë shpejt dhe kjo është më mirë pasi që rrugëtimi ynë ishte më i gjatë. Këtu kishte luftë kurse në Bullgari, nuk ka pasur luftë, ishte diçka shumë ndryshe. Unë mendoj se ju jeni një shtet demokratik me institucione demokratike, me të ardhme demokratike dhe gjithçka është normale. Ndoshta ne dëshirojmë që të ndryshojmë shumë shpejt, të jemi më të pasur të kemi më shumë shitje por, bota ka ndryshuar. Tani është koha për ju, për ne, për regjionin, për Ballkanin dhe për të ardhmen”, ka thënë Minchev.

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të lajmeve bullgare ka komentuar edhe për situatën në Kosovë, për të cilën tha se është e njëjtë me shtetet e Ballkanit, por edhe të Evropës.

“Unë nuk i di elementet specifike të politikës në Kosovë por mendoj se Kosova është një shtet ballkanik evropian dhe normal, me të njëjtat probleme si shtetet tjera evropiane. Pra, ajo ka institucionet demokratike, qeverinë, progresin ekonomik, parti të ndryshme, opozitën por, kjo është normale pasi që Kosova nuk është një shembull i veçantë në kuptimin se ajo është një shtet evropian dhe normal”, tha Minchev.

Minchev në tetor të vitit që shkoi është rizgjedhur drejtor i Agjencisë shtetërore të lajmeve të Bullgarisë BTA me votat e shumicës së deputetëve të Parlamentit bullgar.