Ministrat që po “fshehin” jetën e tyre

Pse nuk gjenden të dhëna për jetën e ministrit Ismaili dhe Shala?

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili ushtron këtë post që nga shtatori i vitit 2017 dhe Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë që nga tetori i vitit 2018, ende janë të “panjohur” për publikun.

Për shkollimin, arritjet profesionale dhe punët e deritanishme të këtyre dy ministrave, publiku nuk di shumë. Kjo pasiqë, biografitë e Uran Ismailit dhe Endrit Shalës nuk mund të gjenden në webfaqet e ministrive që ata drejtojnë, shkruan rtv21.tv

Informacione të sakta rreth biografisë së këtyre dy ministrave nuk mund të gjenden as po të kërkohen në internet. Për ministrin Ismaili dhe Shala mund të gjenden disa informacione rreth biografisë së tyre vetëm në Wikipedia (e cila edhe nuk është burim i sigurt).

Se përse nuk gjendet biografia e ministrit Uran Ismaili në webfaqen e ministrisë së Shëndetësisë, nga kjo ministri për portalin rtv21.tv janë shprehur se janë në proces të ndërrimit të websajtit.

Sipas këshilltarit të ministrit Ismaili, Albatrit Matoshit, websajti aktual i ministrisë ka pasur prishje, është i vjetër dhe ka nevojë të ndërrohet. Sipas Matoshit, në websajtin e ri,  “Jo vetëm biografia e ministrit, por do të ketë shumë risi të tjera, të cilët do të ndihmojnë edhe qytetarët edhe profesionistët shëndetesorë”. Matoshi ka shtuar se lansimi i websajtit të Ministrisë së Shëndetësisë do të bëhet shumë shpejt.

Ndërsa, nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nuk kanë dhënë përgjigjie për këtë çështje, ndonëse janë pyetur me shkrim tri herë nga rtv21.tv

Qeveria e Republikës së Kosovës e kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ka gjithsej 21 ministri. Të gjitha ministritë e Kosovës kanë webfaqet e tyre në internet, në të cilat publikohen lajmet, dokumentet dhe takimet e fundit të ministrave nga ministritë përkatëse. Në webfaqet e ministrive mund të gjenden edhe të dhëna rreth ministrive, ministrave dhe kabinetit të ministrit, të ministrive të ndryshme të Republikës së Kosovës etj./21Media

Back to top button